Shtohen turmat në aeroportin e Kabulit, 31 gushti po afrohet

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Turmat e njerëzve që kërkojnë shpëtimin nga Talibani nëpërmjet aeroportit të Kabulit sa vijnë e shtohen teksa pakësohen ditët kur Amerika me aleatët duhet të tërhiqen nga Afganistani.

Janë rreth 50 mijë shtetas që shpresojnë të ikin përpara datës 31 gusht, pasi më vonë Talibani ka paralajmëruar se mund të ndërhyjë vetë.

Regjimi i ri ftoi afganët të mos e braktisin vendin prej frikës nga hakmarrja dhe gjakderdhja.

“Problemi më i madh që po has Kabuli është kaosi dhe situata e rrezikshme që shohim në aeroportin e tij. Përditë amerikanët i inkurajonë duke u thënë se do i transferojnë në SHBA apo jashtë dhe se i kanë avionët gati. Por jashtë nuk u garantojnë as strehimin. Ne po përsëritim mesazhin që askush të mos ketë frikë. Nuk do të ngacmohet njeri por të kthehen në shtëpi” thotë  Zabihullah Mujahid, zëdhënësi i Talibanëve

Amerika ka bindjen se mund ta përfundojë evakuimin deri në fund të muajit, dhe se do i duhet të negociojë me qeverinë talibane për ta shtyrë afatin edhe me disa ditë të tjera.

10 mijë persona u evakuan vetëm ditën e hënë, mes tyre 250 shtetas britanikë dhe afganë.

“Shumë nga këto familje po vijnë fare pa asgjë. Mbrëmë kishim disa foshnja më pak se 2-javëshe vetëm me pelena apo të rritur që nuk kishin as këpucë. djem të vegjël që nuk janë ushqyer prej ditësh.”

Talibani e kontrollon tërësisht territorin afgan prej datës 15 gusht dhe po planifikon formimin e një Këshilli qeverisës prej 12 burrash, ku do të kenë poste edhe ish-qeveritarë të mëparshëm për ta bërë administratën e re më të pranueshme.

E vetmja provincë ku talibanët përballin ende rezistencë është Panxhshiri.

Aty vepron tani Fronti i Rezistencës Kombëtare, me forca të pakëta në numër por me ideale të mëdha antitalibane.

“Në të kaluarën e kemi mposhtur Talibanin kur deshën të kontrollojë veriun. Do vazhdojmë të qëndrojmë të fortë, t’ua shtypim kokën dhe t’i largojmë liderët e tyre,” thonë rebelët të cilët duan ta zgjidhin konfliktin me Talibanin me luftë ose me një rol vendimarrës në qeverinë e re” thotë një luftëtar.

Share This Article