Seanca paraprake për dosjen në ngarkim të ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, është shtyrë për datën 9 dhjetor, ku pritet të vendoset nëse çështja do të kalojë në gjykim, do të kthehet për plotësim aktesh apo do të pushohet. Gjatë seancës së sotme, SPAK mori në pyetje biznesmenin Valter Vegaj, i cili është marrë i pandehur dhe ka kundërshtuar më herët procedurën duke pretenduar se i është mohuar e drejta për të dhënë deklarime.
Dosja përfshin 23 të pandehur fizikë dhe dy subjekte juridike. Javën që lamë pas, Evis Berberi paraqiti kërkesën për gjykim të shkurtuar, për të cilën GJKKO nuk është shprehur ende. Ai ka kërkuar gjithashtu kthimin e sendeve të sekuestruara dhe shpalljen e papërdorshme të disa akteve hetimore.
Sipas SPAK, zyrtarët e akuzuar dyshohet se, në bashkëpunim me kompani private, kanë ngritur një skemë të përpunuar për të kontrolluar dhe përfituar sistematikisht fonde publike në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës.
Nga 23 të pandehurit, 22 kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, ndërsa vetëm Valter Vegaj dhe dy shoqëritë e tij kërkojnë rikthimin e çështjes për plotësim hetimesh.




