Është fikur në orët e para të mëngjesit vatra e madhe e zjarrit që shkrumboi tregun e rrobave të përdorura në zonën e njohur si “5 maji” në Tiranë.
Pas një beteje epike që nisi pasditen e së enjtes mbi 73 forca zjarrfikëse me 13 mjete arritën të vendosin në kontroll flakët që shkatërruan pjesën më të madhe të tregut dhe shkaktuan një re tymi që mbuloi kryeqytetin.
Zjarri ishte i vështirë që të vendosej në kontroll për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme që ndodheshin në magazinat e këtij tregu. Ndërkohë që flakët rrezikuan dhe banesat përreth.
Në ndihmë të zjarrfikësve shkuan në mbrëmje dhe një grup i përbërë nga 12 forca të trupës tokësore dhe 2 zjarrfikëse.
Deri në këto momente janë ende të paqarta shkaqet e zjarrit në treg, teksa paraprakisht po mendohet se ai mund të ketë nisur nga një shkëndijë elektrike.
Dëmet e shkaktuara raportohet të jenë kolosale, teksa një bilanc paraprak flet për të paktën 50 subjekte të djegura.
Operacioni për shuarjen e zjarrit u ndoq nga afër dhe nga kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anduela Ristani si dhe kreu i zjarrfikësve, Shkëlqim Goxhaj, i cili mohoi kategorikisht që zjarrfikësit ndërhynë me vonesë.

