Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në një panel të organizuar nga “Clinton Global Initiative”, ku u bashkua me ish-presidentin amerikan Bill Clinton, një prej figurave kyçe në ndërhyrjen ndërkombëtare gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij, Clinton rikujtoi vendimin për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe bombardimin e forcave serbe duke theksuar se shumë njerëz në atë kohë e konsideruan të guximshme, madje të çmendur, vendosmërinë e tij. Megjithatë, ai tha se ishte plotësisht i bindur për rezistencën e popullit të Kosovës.
“Shumë menduan se isha i çmendur kur u angazhova në Kosovë. Por unë u thashë: shikoni, ky do të jetë vendi i vetëm në botën moderne ku një luftë do të fitohet përmes fuqisë sonë ajrore, sepse kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë. Në fund, do të bëhej shumë e kushtueshme për serbët që ta vazhdonin luftën, dhe kështu do të shpëtonim më shumë jetë”, u shpreh Clinton.
Nga ana tjetër, Presidentja Osmani solli një perspektivë personale dhe historike për Kosovën, duke kujtuar se liria nuk është diçka që duhet marrë si e mirëqenë. Ajo theksoi rëndësinë e aleancave dhe mbështetjes ndërkombëtare.
“Duke ju dëgjuar ju, m’u kujtuan miliona njerëz që na erdhën në ndihmë kur kishim më shumë nevojë. Sot flas si presidente, por dikur isha ai fëmija që priste në radhë për ushqim. Fëmijët që po ndihmoni sot, gratë që po përkrahni sot – nesër mund të jenë liderë. Ju e thatë që kosovarët nuk do të dorëzoheshin kurrë – dhe nuk u dorëzuam. Jemi popull që kemi jetuar nën okupim për vite, por asnjëherë nuk e kemi humbur identitetin. Sot, Kosova është një demokraci e fortë, një shtet që ballafaqohet me sfida, por edhe një testament se shtetet e vogla mund të kenë ndikim”, theksoi Osmani.