Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar këtë të enjte në seancën plenare dekretin e Presidentit Ilir Meta për Kodin zgjedhor.
Kujtojmë se ligji për kodin zgjedhor u miratua nga shumica dhe një sërë votash të opozitës së re, për t’u përcjellë sërish në kuvend për rishqyrtim nga ana e Presidentit, i cili po ashtu e dërgoi kodin për shqyrtim në Komisionin e Venecias.
Pikërisht ky akt i fundit i Presidentit u përcoll edhe nga ana e eurokomisionerit për zgjerim në KE Oliver Varhelyi, i cili i sugjeroi qeverisë dhe kryeministrit që të priste opinionin e Venecias përpara (ri)miratimit të kodit zgjedhor. Thirrje për të pritur, iu bashkua dhe zëri zyrtar i Komisionit Evropian përmes zëdhënëses. Por pavarësisht këtyre thirrjeve, kryeministri Rama nuk ndryshoi qëndrim duke u shprehur se kodi zgjedhor do të miratohej pa pritur opinionin e Venecias. Kështu ka ndodhur këtë të enjte në kuvend.