Si e pushtoi Rusia Krimenë përmes “Gjelbëroshëve të vegjël”

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Më 27 shkurt të vitit 2014, në gadishullin përgjatë bregut verior të Detit të Zi në Evropën Lindore, zbarkuan njësi ushtarake për ta pushtuar Krimenë. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mohoi vazhdimisht se ushtarët pa shenja idenfifikuese ishin rusë… derisa, një vit më vonë, Putin përvec se e pranoi, filloi të mburrej se ata ishin rusë. Këto trupa më pas u njohën si “gjelbëroshët e vegjël”, shkruan Express.

Shumica absolute e uniformave ushtarake kanë ngjyrë të gjelbër, andaj forma më e lehtë për ta identifikuar një person me uniformë është përmes shenjave të qepura në të.

Uniforma e Ushtrisë së Kosovës, si shenj identifikuese ka stemën shtetërore, flamurin dhe logon e ushtrisë. Pos këtyre, në uniformë gjejmë edhe gradën dhe emrin e ushtarakut.

Por, në kohën kur ishte pushtuar Krimea nga Rusia më 2014, njësitë ushtarake nuk kishin pasur asnjë shenjë në uniformat e tyre.

Më vonë këta “ushtarë” të paidentifikuar që u përdorën për ta pushtuar Krimenë u quajtën “Gjelbëroshët e vegjël” apo “little green men”.

Ditën e pushtimit, flamuri i Rusisë valonte mbi Parlamentin Regjional të Krimesë. Kjo pasi “gjelbroshët e vegjël” vendosën barrikada jashtë parlamentit, derisa vetë qëndruan brenda.

Një ditë më pas – më 28 shkurt, ushtarët pa shenja identifikuese në uniformat e tyre morën në kontroll edhe aeroportin.

Autoritetet zyrtare të Rusisë mohuan se këto trupa janë trupa ruse, raporton REL.

Në pyetjen e një gazetari drejtuar Putinit se a janë trupa ruse “gjelbroshët e vegjël” për shkak se uniformat e tyre ngjasojnë me ato ruse, Putin i bëri bisht pyetjes.

“Shih uniformat ushtarake të shteteve të Ish-Bashkimit Sovjetik. Te gjitha ngjasojnë. Ju mund të shkoni në një dyqan dhe të blesh të gjitha llojet e uniformave”, thoshte Putin.

“Por, a ishin trupa ruse?”, insistoi gazetari.

“Ishin trupa lokale që mbronin vetën e tyre”, u përgjigj Putin.

Rusia kishte baza ushtarake në Krime, në bazë të marrëveshjes së vitit 1997 me Ukrainën.

Por, “gjelbëroshët e vegjël” vepruan përtej këtyre bazave ushtarake.

Pas një viti me gënjeshtra, Putin e pranoi se “gjelbroshët e vegjël” ishin ushtarë rusë.

“Unë i dhashë urdhra ministrit të Mbrojtës, pse të fshihet? – të vendosen forca speciale të GRU-së, bashkë me marinsa dhe komando nën maskën e përforcimit të sigurisë për ushtrinë tonë në Krime”, kishte pranuar Putin.

Pak kohë pas kësaj deklarate të Putinit, presidenti rus udhëhoqi festimet në Moskë, ku kremtohej përvjetori i parë i vendosjes së Krimesë nën kontrollin e Rusisë.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar 100 kundër 11-ve për ta mos njohur pushtimin e Krimesë nga ana e Rusisë.

Share This Article