Ishulli Goudier, i vendosur në Antarktidë, thuajse çdo vit bëhet kryefjalëe titujve kryesorë të shtypit botëror me njoftimin: “Kërkojmë një person për të numëruar pinguinët“.
Lajmi se ka nevojë për personel për të punuar në postën që gjendet në ishull, tërheq vëmendje të madhe, por edhe më i madh është kurioziteti për atë çka i pret punonjësit e postës më të largët të botës.
Gjëja e parë me të cilën u përballën gratë, të cilat përbëjnë stafin e postës së Goudier në vitin 2023, ishin lopatat.
Ekipi, i cili u nis nga Anglia dhe udhëtoi afërsisht 13,000 kilometra me avion dhe më pas me anije, u mirëprit nga ushtarët e Marinës Mbretërore në ishull. Kjo pasi, baza shkencore e Port Locknoy, ku ato do të jetojnë, ishte mbuluar me borë në dhjetor dhe atyre iu desh ndihmë për të gërmuar borën 4 metra të thellë për të hyrë në ndërtesë.
Clare Balantyne, 23 vjeç, më e reja nga ekipi prej katër femrash, i tha CNN Travel se gjëja e parë që vuri re kur zbritën nga anija ishte se gjithçka ishte ngrirë dhe e dyta ishin pinguinët. “Ata ishin kudo“, tha Balantyne.
Më shumë se një mijë pinguinë Gentoo jetojnë në këtë ishull, i cili është sa një fushë futbolli dhe ndodhet në perëndim të Gadishullit Antarktik. Ishulli ka qenë i preferuari i eksploruesve dhe shkencëtarëve, dhe së fundmi, i turistëve, që nga viti 1944, kur Britania krijoi bazën e saj të parë të përhershme në Antarktidë.
Përveç zyrës postare, ka një muze dhe një dyqan suveniresh në ishullin Goudier. Më shumë se 200 anije vizituan ishullin në sezonin 2022-23, me pothuajse 16,000 vizitorë. Në këtë mënyrë, Goudier u bë një nga vendet më të ngarkuara me vizitorë në “kontinentin e ngrirë”.
Çdo vit nga nëntori deri në mars, që korrespondon me verën në hemisferën jugore, një ekip i përzgjedhur vjen në ishull dhe menaxhon bazën shkencore. Më shumë se 4,000 njerëz aplikuan për semestrin e parë pas pandemisë, por vetëm katër u pranuan.
Ekipi përfshin drejtoreshën e postës Balantyne, drejtuesen e bazës Lucy Bruzzone, vëzhguesen e jetës së egër Mairi Hilton dhe menaxheren e dyqanit Natalie Corbett.
Një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të banorëve të ishullit është të numërojnë pinguinët dhe të mbledhin informacione për modelet e mbarështimit të Gentoos. Kjo punë është pjesë e një studimi të gjatë shkencor të kolonisë në ishull.
Sigurisht që ka shumë vështirësi në këtë detyrë, ku zgjidhet vetëm një në çdo 1000 persona. Oficerët jetojnë së bashku në një dhomë të vetme për pesë muaj. Nuk ka ujë, nuk ka internet dhe kohë të lirë shumë të kufizuar. Ato mund të marrin 1 ditë pushim çdo dy javë.
“Është një përvojë shumë intensive. Është sikur jetosh mbi njëri-tjetrin, nuk ka askund ku mund të shkosh“, tha Vicky Inglis, Koordinatore e Operacioneve në terren për Fondacionin e Trashëgimisë së Antarktidës në Mbretërinë e Bashkuar.
“Nuk ka shpëtim në ishull, por ka shumë jashtëqitje pinguinësh”, tha Inglis.
Ushqimi në Goudier duhet të jetë ose ushqim i konservuar ose i thatë. Megjithatë, kur një anije turistike viziton ishullin, oficerët kanë një shans për të ngrënë diçka ndryshe. Këto anije të vogla me një kapacitet prej 200 pasagjerësh nënkuptojnë gjithashtu se luksi i një dushi të nxehtë bëhet realitet për ata në ishull.
Anëtarët e ekipit 2023 përshkruajnë se si e kalojnë kohën e lirë në një postim në blog.
“Pjesën më të madhe të ditës e kalojmë duke fjetur! Më pas bëjmë një shëtitje nëpër ishull. Lëvizim shumë ngadalë sepse nuk duam të humbasim asgjë. Veçanërisht i kushtojmë vëmendje gjërave të vogla si algat e detit, yjet e detit etj… Përveç kësaj, ne bëjmë foto, lexojmë libra, bisedojmë”.
Camilla Nichol, CEO e UK Antarctic Heritage Foundation, deklaroi se kriteret për përcaktimin e emrave që do të dërgojnë në ishull nuk janë të qarta.
Nichol, shtoi se kushtet në ishull janë magjepsëse, edhe pse jo shumë komode.
“Antarktida është ndryshe nga gjërat e tjera në Tokë. Është një vend i gjerë, i paprekur, ajri është kaq i pastër… Papritmas ndihesh i vogël sa një anëtar i njerëzimit. Natyra. Është shumë më e madhe se ne“, tha ajo.
Aplikimet e hapura për të përcaktuar se kush do të shkojë në ishull në sezonin 2023-2024 kanë përfunduar së fundmi. Formacioni i ri do të kalojë në Goudier në fund të këtij viti. Duke vënë në dukje se vullnetarët që shkuan në ishull ruajnë një trashëgimi të rëndësishme shkencore, Nichol tha: “Ne përfaqësojmë dhe tregojmë një histori shumë pak të thënë për një periudhë të caktuar të historisë së Antarktidës. Kjo histori është e lidhur ngushtë me çështjet që na shqetësojnë sot”.