Debati për xhaminë e Nemazgjassë nuk është as vetëm thjeshtë një betejë për të mos e lënë atë në dorën e gylenistëve, as thjeshtë teka e një investitori që do të vendosë në bazë të 30 milionë eurove që ka hedhur. Ajo është pjesë e një strategjie më të vjetër dhe më të thellë, që Turqia e Erdoganit po e aplikon, që kur islamisto konservatorët morën pushtetin në Ankara në vitin 2002. Që prej asaj kohe “Raisi” vendosi që krahas fuqisë ushtarake ekspasioni i xhamive të jetë një drejtim këmbëngulës i fuqisë së butë të influencës turke. Lapsi.al është thelluar në analizat ndërkombëtare që i bëhen kesaj strategjie.
Të gjithë biografët e Erdoganit e përmendin në përshkrimin që i bëjnë atij recitimin e vargjeve që e çuan në burg, në 1998, kur ishte kryetar i bashkisë të Stambollit. Gjatë një takimi me mbështetësit e tij ai shqiptoi poezinë e poetit luftarako fetar Ziya Gökalp: “Minaret do të jenë bajonetat tona, kupolat kokoret tona, xhamitë kazermat tona dhe besimtarët ushtarët tanë”.
Me ardhjen në pushtet ai e vuri në jetë këtë filozofi. Politika e predikuar nga ish ideologu i vet Davutoglu, me të cilin tani i kanë ndarë rrugët, predikonte distancimin e Ankarasë nga perëndimi dhe rritjen e influencës së saj në ish hapsirat e perandorisë ottomane, kryesisht në Ballkan dhe lindjen e afërme. Studiuesi Bayram Balci e ka etiketuar këtë si “Ribashkimin e Turqisë me zonën turkofone”.
Kështu pas viteve 2010 Turqia u investua në ndërtimin e Xhamisë Hoca Ahmet Yesevi në Kazakistan (2015) të Xhamisë Bishkek në Kirgistan (2017), ndërsa në Ballkan përpos rikonstruksionit të Et’hem Beut filloi edhe ndërtimi i plotë i asaj të Namazgjasë (2015). Në mbarë globin sikurse tregon edhe harta poshtë filloi ndërtimi i plot 16 qendrave me xhami në Haiti (10), në Moskë (3), në Mogadisho (4) Maryland SHBA (5), Bjellorusi (6), Këln (7), Qipro (10), Xhibuti (12), Kembrixh (13), Godeborg (14), Takjo (15), dhe nëntë xhamive në rripin e Gazës (16).
Dy ndër instrumenatat kryesore për realizimin e kësaj strategjie u bënë Drejtoria e Çështjeve Fetare, ose Diyanet, dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), dy institucione që morën një rëndësi në rritje, veçanërisht që nga ardhja në pushtet e Erdoganit. Në të vërtetë, Diyaneti u bë një mjet parësor, duke vënë theksin në financimin dhe ndërtimin e xhamive, si dhe të institucioneve arsimore islame. Buxheti i Drejtorisë së Çështjeve Fetare, departamenti ndërkombëtar i së cilës mbikëqyr ndërtimin e xhamive jashtë vendit, në vitin kur filloi edhe ndërtimi i xhmisë së Tiranës, në 2015, ishte 2 miliardë euro, sipas revistës Foreign Affairs.
“Edhe pse paraqitet si një nismë për të promovuar islamin e moderuar, veprimi i Diyanetit shihet nga disa si një përpjekje e Ankarasë për të zbatuar një vizion politik islamik në përputhje me interesat e qeverisë së Erdoganit. Strategjia ngre shqetësime rreth spiunazhit dhe ndërhyrjes turke, ndërsa kritikët tregojnë përdorimin e Diyanetit për të ndikuar në komunitetet lokale muslimane dhe për të promovuar islamin politik”, thotë Jules Basset , në një analizë të gjatë të titulluar “Strategjia e influencës turke në Ballkan“, të lexuar nga Lapsi.al.
Por studiuesit thonë se po aq sa është e vendosur, po aq Ankaraja tregohet e kujdeshme që qasja e saj të mos krijojë shqetësim tek popullsitë lokale. Kjo është parë sidomos në Rumani ku Erdogan kishte planifikuar të ngrinte xhaminë më të madhe brenda BE-së, por plani vijoj me rritmin e atij që ecën mbi vezë. “Turqia beson se ka një përgjegjësi ndaj myslimanëve sunitë, dhe jo vetëm në territoret e mëparshme të Perandorisë Osmane”, analizon Jean-François Pérouse, drejtor i Institutit Francez të Studimeve Anatoliane (IFEA).
Sipas këtij specialisti, bashkëautor i “Erdogan, babai i ri i Turqisë? “, kjo diplomaci fetare është pjesë e një “logjike të fuqisë së butë”. Në konceptin e ushtrimit të “Soft Power” turk, ku ndikimi i një vendi bëhet po aq për shkak të imazhit, kulturës ose natyrës shembullore të sjelljes së tij edhe jo përmes mjeteve ushtarake dhe ekonomike, bën pjesë edhe Shqipëria. Edhe inagurimi i xhamisë së Namazgjasë në Tiranë bëhet në kuadër të këtij projekti, ndonëse nga pas ai ka qëllimin e shtrirjes së tentakulave erdoganeske mbi vendin tonë. Prandaj në krye të saj pritet të vendoset një imam turk dhe ajo do të drejtohet nga një fondacion që e shmang ndikimin e drejtpërdrejtë të Komitetit Musliman Shqiptar, të cilin Erdogan nuk e do me pretendimin se i takon rrymës Gyleniste.