Kur doli me raportet konfidenciale të policisë në duar, Gazment Bardhi lëshoi një akuzë të rëndë, tronditëse dhe shqetësuese për këdo qytetar të vendit, që dëgjon se vëllai i kryeministrit mund të ketë punuar me një grup trafikantësh të kokainës, që u goditën me ndërhyrjen e shërbimeve gjermane në janar të vitit 2015.
Në thelb të akuzave janë disa rrethana dhe fakte, bazuar në dokumenta që ashtu siç i lidh Gazment Bardhi mund të krijojnë bindjen se Olsi Rama u përfshi në trafik kokaine, madje fshehu kreun e grupit, Genci Xhixhën në makinë për ta nxjerrë jashtë kufijve të vendit, në një kohë që ky kërkohej nga forcat speciale.
Fakti i parë së cilit iu referua Bardhi gjendet në dosjen e përgjimeve të policisë, ku përmendet një person me flokë të shkurtra, rreth 45 vjeç, i paidentifikuar, që përdorte mjetin Range me targat AA653DM. Veç këtij personi të paidentifikuar, e njëjta makinë përdorej edhe nga trafikantët Genci Xhixha, Gentian Gjonaj dhe Ermal Hoxha.
Fakti i dytë është se nga të dhënat e sistemit TIMS, Olsi Rama ka përdorur këtë Range me targa AA653DM, për hyrje-dalje nga Shqipëria në 7 raste gjatë të njëjtës periudhë që e përdornin edhe trafikantët e kokainës.
Një nga këto data udhëtimi të Olsi Ramës përkon me atë të arratisjes së Genci Xhixhës jashtë vendit, ditën kur policia shqiptare kreu operacionin e Xibrakës, që u pranua më vonë nga gjykata se ishte dekonspiruar.
Përfundimi në të cilin del, Gazment Bardhi, duke u bazuar tek përdorimi i Range Rover me targa AA653DM, është se Olsi Rama është personi i paidentifikuar që përmend policia në raport, se ai ka punuar bashkë me trafikantët e drogës, madje edhe se ka nxjerrë jashtë vendit për t’u arratisur, Genci Xhixhën.
Akuza është ndër më të rëndat, që i bëhet vëllezërve Rama dhe ndryshe nga herët e tjera, ilustrohet me dokumenta që thënë më të paktën, duket se përkojnë me variantin e Gaz Bardhit.
Për t’i shkuar deri në fund të vërtetës, Gazment Bardhi ndërmori disa hapa. Ai doli dhe e mbrojti publikisht variantin e tij për gati 2 orë në Opinion, kërkoi nga SPAK nisjen e hetimit penal për Olsi Ramën dhe kërkoi në parlament interpelancë me Edi Ramën.
Si reagoi Olsi Rama
Çdo njeri i zakonshëm që do të gjendej përballë një akuze të tillë do të nxitonte të jepte variantin e tij të ngjarjes dhe të shpjegohej me detaje, për ta shpërbërë hallkë pas hallke, zinxhirin e historisë që lidh Gazment Bardhi. Akuzat nëse do të ishin false, do të binin me një ballafaqim me emra, me vende, me data konkrete që ndoshta nuk janë ashtu siç interpretohen.
Por si reagoi Olsi Rama pas akuzave të rënda që i bëri Bardhi?
Në vend se të jepte versionin e tij të ngjarjes, për të shpjeguar se pse kishte përdorur të njëjtin mjet me disa nga antarët e grupit kriminal gjatë kohës që këta trafikonin kokainë, Olsi Rama lëshoi një mesazh gjysmak, duke thënë se udhëtimet me “ta” nuk e bënin fajtor dhe se ai nuk e njihte “atë”.
“Të njohësh njerëz dhe madje edhe të udhëtosh me ta në ndonjë rast apo në shumë raste, nuk është as diçka për të cilën duhet t’i marrësh leje apo t’i japësh llogari kujt, as diçka që të bën fajtor për çfarëdo faji dikush prej tyre mund të kryejë në jetën e tij personale” shkruajti Olsi Rama.“
As nuk e mohoj dhe as kam asnjë arsye ta fsheh që unë kam njohur në distancë një nga personat në fjalë, po aspak atë për të cilin me aq zell e dëshirë më akuzon ky kanakari i atij sharlatanit famëkeq që na ka sulmuar me qindra herë familjen” vazhdoi ai.
Nuk është e qartë se kujt i referohet Olsi Rama kur pranon udhëtimet me “ta” dhe kur thotë se nuk njeh “atë”, por nga akuzat që i bën Gaz Bardhi, mund të hamendësohet që vëllai i kryeministrit kërkon të thotë se nuk ka njohje me Genci Xhixhën, trurin e laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit.
Përgjigjia duket e cunguar, në një kohë që akuzat e anës tjetër shoqëroheshin me shpjegime dhe dokumenta të shumta.
Një tjetër reagim i Olsi Ramës ishte dalja e tij në publik së bashku me biznesmenin e peshkut, Gjergj Luca. Në një filmim në rrjetet sociale, Luca bën një përpjekje për ta bërë qesharake historinë që denoncoi Bardhi, ndërsa Olsi Rama në ato pal fjalë që i dëgjohen në sfond thotë vetëm: “Droga ime është sporti dhe shoqnia e mirë”.
Përpjekja bëhet për t’u distancuar nga diskutimi mbi trafikun e drogës dhe operacioni i policisë 9 vjet të shkuara. Video zgjat disa minuta dhe është e vetmja dalje e tij, pas akuzave të opozitës.
Disa ditë më pas, Olsi Rama bëri edhe denoncim për shpifje në SPAK, por ky reagim ishte më shumë për t’i dhënë një alibi të vëllait kryeministër që ta shmangë diskutimin politik të çështjes.
Si reagoi Edi Rama
Mllefi ishte reagimi i parë i kryeministrit Edi Rama, kur u fol për mundësinë e përfshirjes së të vëllait në trafik droge. Pasi dëgjoi paralajmërimin e Gazment Bardhit në video në emisionin Opinion, Rama tha se ai meritonte një përgjigje “shqiptarçe”, duke lënë të kuptohet sharjet që s’mund t’i artikulonte në publik.
Por pasi Gazment Bardhi e detajoi variantin e tij të ngjarjeve dhe i kërkoi interpelancë në parlament, kryeministri Edi Rama nuk foli më.
Në ndihmë i erdhi i vëllai Olsi, që para se të fliste Edi bëri kallëzim për shpifje në SPAK.
“S’mund të ketë dy të vërteta dhe ose unë duhet të shkoj në burg si trafikant ose Gazmend Bardhi duhet të ndiqet penalisht” u shpreh Olsi Rama, që në fillim e kishte shmangur prokurorinë nga verifikimi i “personit të paidentifikuar” të grupit të trafikantëve të kokainës.
Tani, i vëllai kishte një argument për ta refuzuar interpelancën në parlament. Dhe Rama ashtu bëri.
Parlamenti rrëzoi kërkesën e Gaz Bardhit. Shkak ishte kallëzimi në SPAK.
“Gazmend B duhet ta presë me durim edhe SPAK-un të na ndriçojë lidhur me vërtetësinë e zbulimit prej tij të trafikantit të paidentifikuar, siç priti me shumë durim, për plot muaj, radhën tek salloni i Blendi Fevziut” shkruajti kryeministri, që i quan “fantazi” dhe “haluçinacione” akuzat e opozitës” shkruajti Rama mes të tjerash.
Këtë të enjte ai mungoi në parlament. Kuptohet se përpjekjet janë për ta mbyllur sa më parë këtë histori. Qoftë me mesazhe të kriptuara, qoftë me video qesharake apo me refuzimin për të folur, vëllezërit Rama kërkojnë që çështja të mos preket dhe të diskutohet sa më pak, duke lënë në publik dyshimet për vërtetësinë apo jo të denoncimit të Bardhit.