Bota
Si mund të bëheni turist në Hapësirë?
Pëlqyesit e adrenalinës shumë shpejt do të mund të përballen me emocione të forta, teksa turizmi hapësinor nis të jetësohet.
Gjithçka ju duhet është durim. Dhe shumë para.
Kush është duke ofruar fluturime hapësinore?
Dy kompani janë duke ofruar fluturime nga disa minuta në Hapësirë, Blue Origin e miliarderit Jeff Bezos dhe Virgin Galactic, e themeluar nga Richard Branson.
Raketa e kompanisë Blue Origin niset vertikalisht, kapsula bie kur arrihet lartësia e duhur dhe më pas ekipi ulet në Tokë me tri parashuta.
Virgin Galactic përdor aeroplanbartës masiv, duke bërë nisjen në pistë horizontale dhe më pas lëshohet raketa me fuqi të nisjes në Hapësirë.
Në të dyja rastet, deri në gjashtë pasagjerë mund të ngriten nga ulëset e tyre për të përjetuar disa minuta pa peshë dhe të shikojnë pamjet e Tokës nga Hapësira.
Kur mund të shkoni në Hapësirë?
Virgin Galactic ka thënë se fluturimet e rregullta komerciale do të nisin më 2022, pas kryerjes së dy testeve tjera. Lista e pritjes është relativisht e gjatë, pasi 600 bileta janë shitur deri më tani, transmeton agjencia e lajmeve AFP.
Mirëpo kompania parashikon që të kryejë rreth 400 fluturime në vit.
Blue Origin planifikon dy fluturime tjera këtë vit, të parin në shtator dhe “shumë tjera” vitin e ardhshëm.
Një tjetër mënyrë për të shkuar në Hapësirë është përmes televizionit. Një emision televiziv në ardhje, Space Hero, ka thënë se planifikon të dërgojë fituesin e garave në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës më 2023.
Sa do të kushtojë udhëtimi?
Biletat e para të shitura nga Virgin Galactic kanë çmimin mes 200 mijë deri më 250 mijë dollarë secila, mirëpo kompania ka paralajmëruar se çmimi në të ardhmen mund të rritet.
Blue Origin nuk ka bërë të ditur ndonjë çmim.
A janë të ashpra kërkesat për gjendjen fizike?
Jo – secilit i kërkohet të ketë gjendje fizike normale. Trajnimet e kompanisë Virgin Galactic zgjasin vetëm pesë ditë.
Blue Origin premton që t’i mësojë secilit gjithçka i duhet “ditën para nisjes”.
Në fluturimin e parë me ekip të kompanisë Blue Origin në Hapësirë, pjesë e ekipit ka qenë pionierja e aviacionit, Wally Funk, 82-vjeçare, e cila tani është kthyer në astronauten më të vjetër, që ka kryer një fluturim të tillë.
Në mesin e kërkesave të kompanisë për të realizuar fluturimin përfshihet ngjitja e shtatë palë shkallëve brenda 90 sekondave si dhe që gjendja trupore të jetë mes 152 centimetrave gjatësi dhe 50 kilogramëve apo 193 centimetra dhe rreth 100 kilogramëve.
Po SpaceX?
Kompania e Elon Musk është duke hyrë po ashtu në lojën e turizmit hapësinor, mirëpo planet e saja janë për udhëtime më të gjata. Çmimi i udhëtimit po ashtu pritet të jetë astronomik – dhjetëra miliona dollarë.
Miliarderi amerikan Jared Isaacman ka nisur një mision të titulluar Inspiration4, që përfshin atë, bashkë me tre pasagjerë tjerë rreth Tokës, në udhëtimin që besohet se do të realizohet përmes një rakete të kompanisë SpaceX.
Më pas, në janar të vitit 2022, tre biznesmenët do të udhëtojnë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës me një astronaut me përvojë. Misioni, i titulluar Ax-1, është duke u organizuar nga kompania Axiom Space, e cila ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë Spacex për tri fluturimet e radhës.
Kompania e miliarderit Musk është duke planifikuar udhëtim në orbitë me katër persona, të organizuar nga kompania Space Adventures – kompania e njëjtë që ka organizuar fluturimin e miliarderit japonez Yusaku Maezawa në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës në muajin dhjetor, me një anije kozmike ruse Soyuz.
Maezawa po ashtu pritet të realizojë një udhëtim në Hënë më 2023, përmes një anije kozmike që është ende duke u zhvilluar nga kompania SpaceX.
Ai ka ftuar tetë anëtarë nga publiku që t’i bashkohen – por periudha e aplikimit tani ka përfunduar.
Bota
Zelensky mohon sulmin me dron ndaj rezidencës së Putinit
Presidenti Volodymyr Zelensky ka mohuar akuzat e Rusisë se Ukraina ka kryer një sulm me dron ndaj njërës prej rezidencave të presidentit Vladimir Putin dhe ka akuzuar Moskën se po përpiqet të prishë bisedimet e paqes.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pretendoi se Kievi kishte nisur një sulm gjatë natës duke përdorur 91 mjete ajrore pa pilot me rreze të gjatë veprimi (UAV) në rezidencën shtetërore të Putinit në rajonin veriperëndimor të Novgorodit të Rusisë.
Rusia tha se tani do të rishikojë qëndrimin e saj në negociatat e paqes. Ende nuk është e qartë se ku ndodhej Putini në kohën e sulmit të supozuar.
Zelensky e hodhi poshtë pretendimin si “gënjeshtra tipike ruse”, që synonin t’i jepnin Kremlinit një justifikim për të vazhduar sulmet ndaj Ukrainës.
Ai tha se Rusia më parë kishte shënjestruar ndërtesat qeveritare në Kiev.
“Është thelbësore që bota të mos heshtë tani. Nuk mund ta lejojmë Rusinë të minojë punën për arritjen e një paqeje të qëndrueshme” tha Zelensky në X.
Në një deklaratë të ndarë në Telegram të hënën, Lavrov tha se të 91 dronët që ai pretendoi se u nisën në rezidencën e Putinit u interceptuan dhe u shkatërruan nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore.
Ai shtoi se nuk ka raportime për viktima apo dëme materiale si pasojë e sulmit.
“Duke pasur parasysh degjenerimin përfundimtar të regjimit kriminal të Kievit, i cili ka kaluar në një politikë terrorizmi shtetëror, pozicioni negociues i Rusisë do të rishikohet”, tha ai, teksa shtoi se Rusia nuk kishte ndërmend të dilte nga procesi i negociatave me SHBA-në
Pretendimi nga Moska vjen pas bisedimeve midis SHBA-së dhe Ukrainës në Florida të dielën, ku presidentët Trump dhe Zelensky diskutuan një plan të rishikuar paqeje për t’i dhënë fund luftës.
Bota
Trump kërcënon Iranin: Do të na duhet t’i shkatërrojmë nëse rindërtojnë programin e raketave
Presidenti amerikan, Donald Trump kërcënoi të hënën se do të mbështesë një sulm tjetër kundër Iranit nëse ky i fundit përpiqet të rindërtojë programin e tij të raketave balistike.
“Kam dëgjuar se Irani po përpiqet të ndërtojë përsëri fuqinë e tij dhe, nëse po, do të na duhet t’i rrëzojmë”, tha Trump përpara se të takohej me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Do t’i rrëzojmë. Do t’i shkatërrojmë plotësisht”, theksoi ai.
Trump shtoi se do të mbështeste një sulm ndaj Iranit menjëherë nëse ky i fundit përpiqet të rindërtojë aftësinë e tij bërthamore, duke e këshilluar vendin që në vend të kësaj të kërkojë një marrëveshje me SHBA-në.
“Kjo është më e zgjuar. Ata mund të kishin bërë një marrëveshje herën e fundit përpara se ne të kalonim, e dini, një sulm të madh ndaj tyre”, theksoi ai.
SHBA-të më herët këtë vit bombarduan tre objekte bërthamore në Iran, në një sulm që Trump e ka cilësuar që atëherë si një sukses të madh ushtarak. Netanyahu në javët e fundit ka paralajmëruar se Irani po zgjeron përsëri programin e tij të raketave balistike.
Bota
U sulmua nga një peshkaqen, gjendet trupi i pajetë i atletes amerikane
Një atlete 55-vjeçare e disiplinës triatlon, ka humbur jetë në një sulm të tmerrshëm nga një peshkaqen në brigjet e Kalifornisë.
Siç raporton New York Post, Erica Fox ishte zhdukur që nga java e kaluar kur, sipas dëshmitarëve, ajo u pa duke notuar në brigjet e Pacific Grove, në Monterey Bay, kur një peshkaqen e sulmoi.
Që atëherë, atletja ishte shpallur e zhdukur nga autoritetet lokale pasi trupi i saj nuk ishte gjetur.
Në fakt, dëshmitarët okularë raportuan se kishin parë një peshkaqen me një trup njeriu në gojë të dilte nga uji dhe pastaj të fundosej përsëri.
Sot, frika e të gjithëve u konfirmua pasi, pas disa ditësh kërkimesh, mbetjet e gruas 55-vjeçare u gjetën në breg, pranë vendit ku ajo u sulmua për vdekje. Konkretisht, trupi u gjet në plazhin Davenport në Santa Cruz, rreth 15 kilometra nga vendi i ngjarjes.
Trupi i Fox u identifikua nga babai i saj. Edhe pse Zyra e Sherifit lokal tha se ende nuk e ka identifikuar zyrtarisht trupin, afërsia e dy vendeve sugjeron se është i atletes.
Megjithatë, për shkak të natyrës së zhdukjes së Fox, Zyrat e Sherifit të Qarkut Santa Cruz dhe Monterey, së bashku me Departamentin e Policisë së Pacific Grove, po hetojnë ende rastin.
Fox po stërvitej me të tjerë, duke notuar në grupe në vend si pjesë e stërvitjes së tyre të përditshme. Midis shokëve të saj të ekipit ishte edhe bashkëshorti i saj prej 30 vitesh, Jean-François Vanreuzel.
Tragjedia ndodhi më 23 dhjetor, kur grupi u njoftua nga një pronar varke që po kalonte se një peshkaqen ishte parë rreth 100 metra larg, dhe autoritetet ngritën alarmin dhe mbyllën plazhin.
Ekipi më pas u drejtua për në breg dhe zbuluan se Fox nuk ishte e pranishme.
“Thjesht u ndjeva e mpirë. Shpresoja që ndoshta ajo doli nga uji dhe pastaj vendosi të kthehej në këmbë”, tha shoqja e ekipit Sharon Carey.
Autoritetet u njoftuan menjëherë dhe një operacion kërkimi nisi menjëherë pas kësaj për të gjetur Fox.
Pas rreth 15 orësh kërkimi në ujë me anije, helikopterë dhe zhytës, operacioni u ndërpre. Zyra e Sherifit të Monterey-t dhe një ekip vullnetarësh vazhduan kërkimin, i cili përfundoi më herët në mënyrën më tragjike.
Megjithatë, Zyra e Sherifit të Qarkut Monterey, së bashku me ekipet e pavarura të kërkimit Bedrock Ocean Exploration dhe Angel’s Recovery Dive Team, vazhduan kërkimin edhe pas përfundimit zyrtar.
Fox ka garuar në dy gara Ironman dhe në evente të ndryshme të tjera për 20 vjet. Miqtë dhe familja e përshkruan atë si një “person jashtëzakonisht të lumtur, të gjallë, qesharak dhe të sjellshëm” e cila ishte e njohur mirë me rreziqet e oqeanit të hapur. Kohët e fundit ajo kishte marrë pjesë në një Seminar për Peshkaqenin e Madh të Bardhë për të mësuar më shumë rreth grabitqarit kryesor të oqeanit.
Në vitin 2013, ajo ndau një foto në Facebook të një peshkaqeni që notonte përkrah një zhytësi. “Kjo është kafsha më e rrezikshme në planet dhe një peshkaqen po noton qetësisht pranë saj”, shkruante ajo në postim.
-
UK1 day agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania1 day agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports1 day agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania1 day agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Kosova21 hours agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
-
Albania2 days agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
