Ai është mashkulli alfa i kompletuar… ose të paktën dëshiron që bota ta besojë atë. Vladimir Putin… gjithmonë e ka paraqitur veten si personifikim i fuqisë. Shpesh pa bluzë, i fotografuar në gjueti, apo duke zhytur nëndetësen thellë në Detin e Zi.
Putin ka lindur në tetor të vitit 1952, në atë që sot njihet si Shën Petersburg. Në 1975, ai iu bashkuar KGB-së si një oficer inteligjence. Në ’99, presidenti i atëhershëm Boris Yeltsin, e emëroi Putinin kryeministër. Një vit më pas, Putin u zgjodh president i Rusisë. Në atë kohë, edhe presidenti George Bush ishte mahnitur… por mendonte se nuk do të zgjaste.
Putin u rizgjodh në vitit 2004. Në 2008-ën arriti limitin e mandateve në kushtetutën ruse dhe kështu që u bë kreativ… ndërroi vendet me kryeministrin e atëhershëm, Dmitry Medvedev. Ky i fundit u zgjodh president i Rusisë dhe emëroi Putinin si kryeministër… një lëvizje që ngriti shumë dyshime se sa pushtet ka vërtetë Medvedev. Në detyrë, Medvedev ndryshoi kushtetutën duke zgjatur mandatin presidencial nga 4 në 6 vite… përpara se Putini të rizgjidhej sërish president në vitin 2012.
Kemi treguar se askush nuk mund të na imponojë ne diçka.
Vladimir Putin, presidenti i Rusisë
Putini ka sunduar Rusinë për më shumë se dy dekada dhe pushteti i tij është i pamohueshëm. Ai përshkallëzoi luftën në Çeçeni… pushtoi Ukrainën… qeveria e tij dyshohet se ndërhyri në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016-ës, pavarësisht se i mohon këto pretendime.
Dyshohet se ai ka helmuar disa nga kritikët e tij, si ish-spiunin rus Alexander Litvinenko, i cili vdiq pasi konsumoi një çaj të helmuar. Litvinenko fajësoi Putinin. Por Kremlini mohoi çdo përfshirje… Megjithatë, Putin ka vijuar të jetë gjithmonë i pëlqyer. Ai fitoi zgjedhjet e fundit në 2018-ën me mbi 76 për qind të votave.
Kritikët i konsideruan zgjedhjet si të padrejta, duke cituar kontrollin e ngushtë mbi mediat dhe monitoruesit. Disa kritikë sugjerojnë se Putini ka përdorur sundimin e tij jo për të përmirësuar jetët e popullit rus, por për të pasuruar veten, përmes vjedhjes dhe korrupsionit.
Bill Browder vlerëson se pasuria e Putinit shkon deri në 200 miliardë dollarë, por shifra e saktë është tepër e vështirë për tu zbuluar. Këto imazhe nga brenda shtëpisë luksoze të Putinit janë ndarë me CNN nga një gazetar rus i pavarur që është larguar nga vendi.
“Ky njeri pëlqen tmerrësisht shumë arin, dashuron tepër jetën e tij të pasur”, thotë gazetari rus, Roman Badanin.
Putin preferon që jetën e tij private, ta mbajë tepër private. Por lajmi për lidhjen e tij të gjatë jashtëmartesore, me të cilën ka dhe fëmijë, doli kudo. Këto janë imazhe të Putinit me Alina Kabaeva, një ish gjimnaste olimpike, që është 30 vite më e re se Putin.
Ata janë njohur më shumë se një dekadë më parë, por nuk janë shpesh bashkë. Pavarësisht sfidës së fundit ndaj pushtetit të tij, Putini pritet që të sundojë të paktën deri në vitin 2024, kur në moshën 71-vjeçare do të mbyllë mandatin e katërt presidencial. Megjithatë, ai firmosi një legjislacion në 2021 që e lejon të garojë edhe për dy mandate të tjera, gjë e cila mund të thotë se ai mund të jetë në detyrë deri në vitin 2036.