Delegatët në Konventën Kushtetuese të vitit 1787, debatuan për shumë gjëra. Por një nga debatet e tyre më të mëdha ishte se si Shtetet e Bashkuara duhet të zgjidhnin presidentin e tyre. Disa nga Etërit Themelues të SHBA-së, besonin se zgjedhja e drejtpërdrejtë nga populli do të ishte metoda më demokratike.
Të tjerët argumentuan se vota popullore ishte e padrejtë, pasi do t’u jepte shumë pushtet shteteve më të mëdha dhe më të populluara. Gjithashtu, ata shqetësoheshin se opinioni publik mund të manipulohej shumë lehtë, dhe kishin frikë se zgjedhjet e drejtpërdrejta mund të sillnin zgjedhjen e një udhëheqësi tiranik, të vendosur për të pasur për vete një pushtet absolut.
Rezultati i kësaj lufte ishte Kolegji Zgjedhor, sistemi me të cilin populli amerikan nuk voton për presidentin dhe zëvendësin e tij, por për një grup më të vogël njerëzish, të njohur si zgjedhës. Këta zgjedhës votojnë më pas direkt për presidentin dhe zëvendëspresidentin, në një takim që mbahet disa javë pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Në total janë 538 zgjedhës, përfshirë 1 zgjedhës për secilin senator dhe përfaqësues të SHBA-së, dhe 3 zgjedhës që përfaqësojnë Distriktin e Kolumbias. Dhe kandidatëve për president u duhet një shumicë prej 270 votash për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë.
Shumicën e herëve – por jo gjithmonë – fituesi i Kolegjit Zgjedhor, është gjithashtu fituesi i votës popullore. Neni II, pika 1 e Kushtetutës së SHBA-së, thotë se zgjedhësit nuk mund të jenë anëtarë të Kongresit, apo të mbajnë poste federale, dhe u takon shteteve individuale të zgjedhin cilindo tjetër.
Sipas amendamentit të 14-të, të ratifikuar pas Luftës Civile, zgjedhës të Kolegjit nuk mund të jenë as ata që kanë “organizuar kryengritje ose rebelime kundër Shteteve të Bashkuara, ose që u kanë dhënë ndihmë armiqve të vendit”.
Kushtetuta i dha secilit shtet një numër zgjedhësish të barabartë, me totalin e kombinuar të përfaqësuesve dhe senatorëve, që përfaqësojnë atë shtet në Kongres. Parlamenti i një shteti, është përgjegjës për përzgjedhjen e këtyre zgjedhësve. Por mënyra se si ndodh kjo ndryshon nga shteti në shtet.
Deri në mesin e viteve 1800, ishte e zakonshme që shumë legjislatura shtetërore i emëronin zgjedhësit, ndërsa shtetet e tjera ua linin përzgjedhjen qytetarëve të tyre. Sot, metoda më e zakonshme e përzgjedhjes së këtyre zgjedhësve, është përmes konventën partiake në rang shtetëror.
Kongresi lokal i secilës parti politike, emëron një listë zgjedhësish, mbi të cilin mbahet në Kongres një votim. Në një numër më të vogël shtetesh, zgjedhësit zgjidhen me votën e komitetit qendror të partisë në nivel shteti.
Gjithsesi, partitë politike zgjedhin zakonisht njerëz që dëshirojnë t’i shpërblejnë për shërbimin e tyre, dhe mbështetjen ndaj partisë. Si zgjedhës mund të zgjidhen zyrtarë ose udhëheqës partie në një shtet, ose njerëz që kanë një lloj lidhje personale ose profesionale me kandidatin e partisë.
Po çfarë ndodh në Ditën e Zgjedhjeve? Pas fazës fillestare të procesit, kandidati presidencial i secilës parti del me listën e tij të zgjedhësve të mundshëm. Në Ditën e Zgjedhjeve, kur Amerikanët votojnë për kandidatët presidencialë dhe zëvendësit e tyre, ata po votojnë në fakt për listën e zgjedhësve, të cilët janë zotuar të hedhin votat e tyre për atë parti.
Emrat e zgjedhësve mund të shfaqen ose jo në fletëvotime nën emrat e kandidatëve, në varësi të rregullave të zgjedhjeve, dhe formatit të fletëve të votimit që ka secili shtet. Pastaj, të hënën e parë pas të mërkurës së dytë të muajit dhjetor, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor takohen në shtetet e tyre përkatëse, dhe hedhin votat e tyre zyrtare për presidentin dhe zëvendëspresidentin.
Kushtetuta nuk kërkon që zgjedhësit të votojnë sipas rezultateve të votimit popullor në shtetet e tyre, dhe s’ka asnjë ligj federal që e kërkon këtë. Por një numër shtetesh kanë miratuar ligje që kërcënojnë të ndëshkojnë të ashtuquajturit “zgjedhës të pabesë”, të cilët nuk votojnë sipas votës popullore të shtetit të tyre.
Zgjedhësit e pabesë, nuk kanë diktuar kurrë fituesin në zgjedhje, dhe më shumë se 99 për qind e zgjedhësve të Kolegjit Zgjedhor në historinë e presidencialeve amerikane, kanë votuar ashtu siç janë zotuar. Por, kohët e fundit, si për shembull në vitin 2016, 7 zgjedhës votuan ndryshe nga shteti i tyre gjatë votimit presidencial.
Disa nga këta zgjedhës “të pabesë”, u zëvendësuan ose u gjobitën për mashtrimin e tyre, por votat e tyre nuk ndikuan në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Në vitin 2020, Gjykata e Lartë e SHBA, vendosi që Kushtetuta nuk u kërkon zgjedhësve të Kolegjit Zgjedhor të jenë të lirë të votojnë sipas dëshirës së tyre. Përkundrazi, Gjykata vendosi që shtetet kanë fuqinë kushtetuese për t’i detyruar zgjedhësit e Kolegjit Zgjedhor të votojnë sipas votës popullore të shtetit të tyre. / History Channel – Bota.al