Simeone e gruaja e tij kanë krijuar perandori imobiliare: 180 apartamente e 7 pallate

albnews
By
4 Min Read

Diego Pablo Simeone nuk është vetëm një trajner futbolli i njohur për qëndrimin e tij të gjatë në stolin e Atletico Madrid, të karakterizuar nga ulje-ngritje, por është edhe shumë më tepër se kaq. Cholo e ndan jetën mes fushës së blertë dhe një tjetër aktiviteti që e menaxhon së bashku me bashkëshorten e tij të dytë, Carla Pereyra.

Të dy kanë ndërtuar gjatë këtyre viteve një rrjet imobiliar në qendër të Madridit, i përbërë nga plot 180 apartamente dhe shtatë ndërtesa në pronësi, që e bëjnë këtë grup një nga më të njohurit në Spanjë. Zemra e kësaj perandorie është Carpersim SL, kompania që menaxhon pjesën më të madhe të investimeve të tyre imobiliare dhe që është shndërruar në krahu më i fuqishëm sipërmarrës i çiftit.

Sipas asaj që raportojnë Forbes España dhe El Español, pasuria imobiliare e çiftit është mbresëlënëse: pothuajse 40 milionë euro, nga të cilat rreth 13.8 milionë euro përfaqësohen nga investimet imobiliare dhe mbi 19 milionë euro nga asetet materiale, pra pasuri të prekshme me përdorim afatgjatë që përbëjnë pjesë të organizimit të përhershëm të një kompanie, me dobi ekonomike shumëvjeçare. Shifra që tregojnë angazhimin e madh të çiftit për të kthyer të ardhurat nga futbolli në aktivitete afatgjata.

Si funksionon marka My Location e Diego Simeone 

Së bashku ata themeluan markën My Location. Pjesa më e madhe e apartamenteve dhe garsoniereve ndodhet në qendër të Madridit dhe tregtohet pikërisht përmes kësaj platforme qiraje, që lejon kontrollin e produktit nga fillimi deri në fund.

Në vitin 2024 Simeone dhe bashkëshortja e tij themeluan gjithashtu kompaninë Tres Cantos 1415, duke blerë një tokë prej një hektari për të ndërtuar edhe dy ndërtesa të tjera dhe 140 apartamente të reja. Por çfarë bëjnë konkretisht të dy? Ata blejnë apartamente në pozicione strategjike, i rikonstruktojnë dhe i rikthejnë në treg me një imazh homogjen, të orientuar drejt studentëve, drejtuesve dhe turistëve të shtresës së mesme të lartë.

Shifrat dhe të ardhurat e familjes Simeone nga aktiviteti imobiliar

Rezultati është tashmë i dukshëm në bilancin ekonomik: në vitin 2024, xhiroja u trefishua krahasuar me vitin paraardhës, duke kaluar 330 mijë euro dhe duke arritur një kapital neto prej pothuajse 20 milionë eurosh. Në një speciale të gjatë të Forbes España me titull “El imperio inmobiliario de Carla Pereyra”, revista analizon sesi Pereyra kaloi nga blerja e apartamenteve individuale te komplekset e tëra rezidenciale, duke theksuar aftësinë e saj për të maksimizuar fitimin për metër katror. Të dhënat më të fundit flasin për një rritje eksponenciale të biznesit familjar që vjen nga perandoria e tyre imobiliare. Dhe kështu, ndërsa Cholo e ndan kohën mes fushës, stërvitjeve, ndeshjeve, netëve të Champions dhe udhëtimeve, jeta e tij larg futbollit po bëhet gjithnjë e më e qëndrueshme për një të ardhme absolutisht të ndritur.

Share This Article