The Guardian
“Ne e morëm atë vetëm sepse babai i tij ishte duke punuar për klubin tonë”, tha drejtori i Midtjyllandit, Claus Steinlein, këtë vit – dhe ai nuk bënte shaka.
Steinlein po fliste për Simon Kjaerin e ri, të cilin ai e përshkroi si vetëm “gjysmë i mirë” kur mbërriti nga Lund IF në klubin ku babai i tij, Jorni, ishte ekonom. Nuk kishte ndonjë talent të madh natyror kur bëhej fjalë për Kjaerin, por ai qysh atëherë ishte i vendosur për të dhënë më të mirën nga vetja. Kjo dëshirë nuk i është lëkundur kurrë dhe kjo është arsyeja pse Kjaer, 17 vjet më vonë, do të jetë kapiteni i Danimarkës në ndeshjen gjysmëfinale të “Euro 2020” kundër Anglisë. Ka qenë ky një udhëtim i gjatë për qendërmbrojtësin 32-vjeçar, por ai ndoshta nuk ka qenë asnjëherë aq i vlerësuar sa në javët e fundit. Vërtetë, në karrierën e tij si futbollist, ai ka lëvizur në klube të mëdha dhe liga më të mëdha – tani luan për Milanin pas aventurave te Palermo, Ëolfsburgu, Lille, Fenerbahçe dhe Sevilla – por janë veprimet e tij pas sulmit kardiak të Christian Eriksenit më 12 qershor, që i kanë bërë njerëzit nga jashtë të kuptojnë se sa i rëndësishëm është lidershipi i tij për këtë ekip. Ai e zëvendësoi Daniel Aggerin si kapiten i Danimarkës në vitin 2016 dhe është pjesë e një grupi drejtues me katër vetë, i cili përfshin gjithashtu edhe Kasper Schmeichelin, Eriksenin e Thomas Delaneyn. Ai ishte i pari që arriti te Erikseni pasi lojtari i Interit kolapsoi, duke u munduar t’i jepte ndihmën e parë. Kjaer më pas formoi një muri mbrojtës me shokët e tij të skuadrës përreth 29-vjeçarit të goditur për t’i dhënë atij pak privatësi përpara se të përpiqej të ngushëllonte dhe qetësonte gruan e Eriksenit, Sabrina Kvistin. Kjær është një mik i mirë i Eriksenit dhe nuk ishte në gjendje ta përfundonte lojën kur rifilloi. Ai nuk tha asgjë për disa ditë para se ta lëshonte një deklaratë në “Twitter”: “Këto kanë qenë disa ditë të veçanta ku futbolli nuk ka qenë gjëja më e rëndësishme. Është një tronditje që do të jetë me mua – dhe të tjerët – për gjithmonë. E vetmja gjë që është e rëndësishme dhe ka ndonjë kuptim është se Christiani është mirë. Jam krenar për mënyrën se si kemi vepruar si ekip dhe sa afër kemi qenë së bashku në këtë periudhë të vështirë”.
Një ditë pas kolapsimit të Eriksenit, përzgjedhësi i tronditur i Danimarkës, Kasper Hjulmand, lavdëroi Kjaerin dhe pjesën tjetër të ekipit.
“Simon ishte thjesht një shembull i madh, i cili është gjithmonë”, tha Hjulmand. “Ai kishte ndërgjegjësimin për t’u bashkuar me të tjerët dhe për të komunikuar me ta dhe për të qenë një udhëheqës. Ai foli edhe në zhveshtore”.
Ekziston një kapitull në librin e Kasper Steenbachit rreth ekipit kombëtar danez, “Holdet”, i cili prek pse Kjaeri është kaq i popullarizuar te shokët e tij të skuadrës. Në vitin 2016, jo shumë kohë pasi ishte emëruar kapiten, ai ishte pjesë e një grupi për një vakt ushqimi. Ata filluan të diskutojnë për filmat dhe Viktor Fischer tregoi një klip nga filmi “The Wolf of Wall Street” ku Mattheë McConaughey krijon një këngë – më vonë e quajtur “The Money Chant” – gjatë së cilës ai këndon dhe rrah veten në gjoks.
Fischer sugjeroi që lojtarët duhet ta bënin atë përpara miqësores kundër Lihtenshtajnit që luhej të nesërmen, por nuk menduan më për këtë. Para lojës, Kjaer filloi të këndonte dhe tre të tjerët që ishin me të ndoqën shembullin. Pas pak, i gjithë ekipi po godiste gjoksin dhe këndonte pa e ditur arsyen e vërtetë. Kjaer e kishte lexuar edhe një herë situatën e duhur dhe kishte konstatuar se me këtë ekip është e mundur të bësh diçka ndryshe. Çfarëdo që të bëjnë, ata e bëjnë atë së bashku. Në librin, paraardhësi i Hjulmandit, Age Hareide, flet pse e zgjodhi Kjaerin si kapiten të tij.
“Ju duhet pak çmenduri në disa lojtarë”, tha ai. “Lloj çmendurie që fiton ndeshjet. Disa nga lojtarët tanë e kanë atë, Kasperi, Delaney dhe Kjaeri. Lojtarët që janë në front, që mund të luajnë dhe të luftojnë, dhe që është shumë e rëndësishme për të fituar ndeshjet. Simoni është një lider në fushë. Ai nuk i thotë gjërat aq shumë jashtë fushës. Ai është shumë i qetë. Por, në fushë është i fortë”.
Kjaer udhëhoqi Danimarkën në botërorin “Rusia 2018” – megjithëse e tyre u ndal pas disa rezultateve të këqija – dhe në Rusi u eliminuan në 1/8 e finales nga Kroacia pas penalltive. Vitin e kaluar Hjulmand e zëvendësoi Hareiden si trajner, por kurrë nuk do të kishte një ndryshim të kapitenit. Lojtari i Milanit është ai që organizon darka me të gjithë lojtarët dhe stafin, veçanërisht nëse ekipi ka kaluar një periudhë të keqe dhe është nën kritika. Dhe, ishte ai që u sigurua që Jonas Knudseni të merrte një avion privat për të fluturuar në shtëpi dhe për të parë gruan dhe foshnjën e tij të porsalindur gjatë turneut në Rusi. Ai interesohet për shokët e tij të skuadrës dhe ata e dinë këtë; kjo i bën ata të dëshirojnë të luftojnë për të dhe pjesën tjetër të ekipit. Siç tha portieri Schmeichel kur Kjaeri dhe Erikseni regjistruan ndeshjet e tyre të 100-ta me Danimarkën kundër Anglisë në vitin e kaluar: “Ata janë lojtarë fantastikë, por janë gjithashtu shumë të rëndësishëm për mua dhe pjesën tjetër të ekipit”.