Ka shkaktuar bujë, dhe nuk mund të ishte ndryshe, lajmi për interesimin e madh të Al Hilal ndaj trajnerit të Interit, Simone Inzaghi.
Klubi saudit është i gatshëm t’i ofrojë një kontratë të majme trevjeçare me vlerë 50 milionë euro.
Giuseppe Marotta dhe Piero Ausilio shpresojnë në vazhdimësi të bashkëpunimit, por vendimi i fundit i takon vetë Inzaghit, i cili për momentin nuk ka pranuar dhe i ka shtyrë të gjitha vendimet për pas finales së Ligës së Kampionëve që do të luhet në Mynih më 31 maj.
Për pozicionin e trajnerit, ka folur edhe presidenti Marotta përpara ndeshjes ndaj Comos, duke theksuar se ekziston dëshira për të vijuar së bashku.
Deri tani, nga ana e klubit nuk ka pasur kontakte me ndonjë trajner tjetër, ndaj në selinë zikaltër, të paktën për momentin, nuk ka ndryshuar asgjë. Natyrisht, ndjesitë janë diçka tjetër dhe çdo paqartësi do të zgjidhet vetëm pas finales në Bavari.
Dilemat nuk lidhen vetëm me ofertën saudite, por kërkojnë një ballafaqim të thellë – sidoqoftë, aktualisht nuk është marrë asnjë vendim. Nga të dyja skenarët, qëndrimi i Inzaghit mbetet ende më i mundshmi.
Por, nëse Inzaghi vendos të pranojë ofertën arabe, kush do ta zëvendësojë në pankinën e Interit? Sipas asaj që raporton Sport Mediaset, emri i preferuar është ai i spanjollit Cesc Fabregas, aktualisht në stolin e Comos.
Më e ndërlikuar duket pista që çon te Massimiliano Allegri, i cili është në shënjestër të Napolit (nëse largohet Conte) dhe gjithashtu i pëlqyer nga Milani.