Aleanca ushtarake e NATO-s i ka bërë thirrje institucioneve në Kosovë që të shtensionojnë menjëherë situatën në veri të vendit. Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, në një postim në Twitter kërkon që palët ta zgjidhin situatën përmes dialogut, teksa shtoi se NATO dhe KFOR mbeten vigjilentë.
“I bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë që të shtensionojnë menjëherë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta zgjidhin situatën përmes dialogut. NATO dhe KFOR mbeten vigjilent dhe do të sigurojë një mjedis të sigurt”, shkruan Lungescu.
Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale për të nisur punën të premten (26 maj), por kjo u shoqërua me protesta të shumta nga grupe të serbëve lokalë. Të paktën pesë policë u lënduan nga përplasja me protestuesit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti reagoi këtë të shtunë, duke ftuar qytetarët, veçanërisht ata serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj të komunave. Në përgjigje të reagimeve nga partnerët ndërkombëtarë, Kurti tha se nuk kishin zgjidhje tjetër pasi një veprim ndryshe do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj.
Ndërkohë, një ditë pas përplasjes, situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është e qetë.