Policia e Shtetit njofton se që nga fillimi i korrikut janë regjistruar 17 zjarre të qëllimshme. Ajo ka arrestuar 1 person dhe vendosjen e 13 personave nën hetim.
“Si rezultat i reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga hetimi, nga strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë në të gjithë vendin, nga data 01.07.2023 deri më datë 25.07.2023, janë konstatuar 17 raste të shkatërrimit të pronës me zjarr; për 14 nga këto raste janë identifikuar 14 autorë, nga të cilët 1 autor është arrestuar në fshatin Peshtan të Fierit, ndërsa 13 autorë të tjerë në të gjithë vendin janë proceduar penalisht, duke qenë se nuk ka patur dëme të mëdha në tokat bujqësore dhe kullosore. Vijojnë hetimet e thelluara në bashkëpunim me Prokuroritë respektive” bëhet e ditur në njoftimin e policisë.
Në lidhje me situatën e krijuar ditët e fundit nga zjarret në vend, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka kërkuar nga strukturat vendore të Policisë që të intensifikojnë veprimet parandaluese, zbuluese dhe ndëshkuese.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. “Policia e Shtetit është e vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata shtetas që me dashje apo nga pakujdesia djegin pyjet, sipërfaqet kullosore apo pronat private.
Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Digjital, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore” bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Shtetit.