Kombëtarja polake e futbollit vijon të mbetet në krizë. Kur kanë mbetur afro një muaj nga ndeshjet e rëndësishme dhe vendimtare të shtatorit për kualifikueset e Euro 2024, Polonia duket se po kalon një situatë kaotike. Mediat polake shkruajnë se trajneri Fernando Santos është vetëm një hap larg kalimit në Arabinë Sauditë.
68-vjeçari ka pranuar ofertën e Al Shabab dhe është gati të mbyllë përpara kohe marrëveshjen me Federatën Polake të futbollit.
Ndërkohë, kjo e fundit ka përgënjeshtruar pjesërisht largimin e Santos dhe me anë të një postimi në rrjetet sociale deklaroi se trajneri ka një kontratë që duhet të respektojë deri në përfundim të europianit 2024. Pavarësisht kësaj në Poloni shkruajnë se trajneri nuk i ka hapur as telefonin drejtuesve të federatës, që t’i japë një shpjegim për lajmet e qarkulluara së fundmi.
Një situatë kaotike te polakët, që mund të shfrytëzohet nga kombëtarja kuqezi. Shqipëria luan me Poloninë në datën 10 shtator në Tiranë në duelin e vlefshëm për kualifikueset e Europianit 2024.