Safet Gjici, kryebashkiaku socialist i Kukësit, në një intervistë televizive me Euronews, thotë fillimisht se kuksianët po ikin, por mohon se bëhet fjalë për shpopullim.
Në interpretimin e Safet Gjicit, shpopullim nuk do të thotë largimi masiv i njerëzve nga një vend i caktuar, siç raporton INSTAT se ka ndodhur me Kukësin në vitet e fundit. Kryebashkiaku e përkufizon ndryshe shpopullimin.
“Shpopullim do të thotë që të ikin të gjithë dhe të mos ngelet asnjë njeri. Sot ka njerëz pafund në Kukës”, tha Gjici.
Gjici akuzoi se ‘shpopullimi’ është term antishqiptar që përdoret prej atyre që nuk kanë bërë asgjë në 30 vite, ndërsa më pas citon me fjalorin e vet të varfër termat relativizues të Edi Ramës.
“Ça shpopullimi, term që e përdorin ata që nuk kanë bërë gjë prej 30 vitesh. Term antishqiptar që e përdorin edhe politikisht. Është shumë e rëndë, sepse të gjitha vendet si ne kanë vazhduar të lëvizin lirshëm kur janë fut në parimet e demokracisë. Ne kemi bërë shumë, por kemi akoma shumë punë për të bërë”, shton ai.