Eva Kaili, eurodeputetja greke e cila është bërë fytyra më e njohur e skandalit të korrupsionit që përfshiu Parlamentin Europian, është liruar nga burgu pas më shumë se katër muajsh prapa hekurave. Ish-zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian do të vendoset në arrest shtëpie.
Lajmi është konfirmuar nga avokati i saj Sven Mary dhe Prokuroria Federale belge. Ajo së shpejti do të lirohet nga burgu Haren, në veri të Brukselit, një proces që zakonisht zgjat disa ditë.
Eurodeputetja greke u arrestua më 9 Dhjetor. 44-vjeçarja u akuzua për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, korrupsion dhe pastrim parash. Arrestimi i saj shkaktoi valë reagimesh në të gjithë Brukselin dhe nxori në dritë një hetim mbi një skemë parash për favore që përfshinte shuma të mëdha dhe dhurata që dyshohet se janë paguar nga Katari dhe për të ndikuar në politikën e Parlamentit Evropian.
Nuk dihet nëse Kaili do ta kalojë arrestin shtëpiak në të njëjtën rezidencë me Francesco Giorgi, gjithashtu i përfshirë në skandal, me të cilin ka një vajzë dy vjeçare.