Në një nga lagjet më të lakmuara të Kalifornisë, Crescent Park në Palo Alto, banorët janë përballur për gati një dekadë me një fqinj që nuk ka nevojë për prezantim, bashkëthemeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg.
Ajo që filloi si shqetësim për blerjet e shumta të pronave nga miliarderi, është shndërruar në një përplasje të hapur me qytetin, pasi zbulimet e WIRED tregojnë se në kompleksin e tij luksoz është zhvilluar, për vite me radhë, një shkollë private pa leje.
Një shkollë në mes të lagjes pa leje zyrtare
Sipas dokumenteve që WIRED ka marrë përmes kërkesave për transparencë publike, shkolla, e quajtur “Bicken Ben School” (emër që sipas The New York Times vjen nga një prej pulave të familjes Zuckerberg), ka funksionuar që prej vitit 2021 brenda pronës së familjes, pa lejen e nevojshme për “përdorim të kushtëzuar”.
Në dokumentet e dorëzuara në Departamentin e Arsimit të Kalifornisë, shkolla figuron si e hapur më 5 tetor 2022, megjithëse fqinjët kishin vënë re aktivitet të ngjashëm një vit më parë. Drejtuesja e saj, Sara Berge, e përshkruan në profilin e vet në LinkedIn si një “pod Montessori” që operonte në një “zyrë private familjare”.
Sipas të dhënave, numri i nxënësve është rritur nga 9 në 2022 në rreth 35–40 në vitin 2025, duke përfshirë edhe plane për hapjen e një cikli të mesëm.
Megjithatë, dokumentet publike të qytetit të Palo Alto nuk tregojnë asnjë kërkesë apo leje të dorëzuar nga familja Zuckerberg për një institucion arsimor në këtë zonë rezidenciale.
Zemërimi i fqinjëve dhe akuzat për trajtim preferencial
Banorët e Crescent Park kanë ankuar prej vitesh për ndërtimet e pafundme, trafikun nga makinat e stafit, si dhe praninë e vazhdueshme të rojeve të sigurisë. Por prania e shkollës e përkeqësoi situatën.
Në një email të dërguar në shkurt 2025, një fqinj i zemëruar i shkruante zyrtarëve të qytetit:
“Është e pabesueshme që po punoni kaq fort për të përmbushur nevojat e një familjeje miliardere ndërkohë që pjesa tjetër e lagjes mbahet në errësirë. Ky pronar ka shkelur shumë premtime, dhe çdo zgjidhje që mbështetet në ‘besim të mirë’ është dështim që në fillim.”
Zyrtarët e qytetit, përfshirë zëdhënësen Meghan Horrigan-Taylor, hodhën poshtë akuzat për trajtim të veçantë, duke theksuar se “rregullat e ndërtimit dhe të sigurisë zbatohen njësoj për të gjithë”. Sipas saj, inspektorët vizituan pronën disa herë dhe zhvilluan takime me përfaqësuesit e familjes për të “zbutur ndikimet në lagje”.
Vendimi për mbyllje dhe zhvendosja misterioze
Në mars 2025, autoritetet lokale i kërkuan familjes Zuckerberg të mbyllte shkollën deri më 30 qershor, për shkak të mungesës së lejes.
Sipas regjistrave shtetërorë, “Bicken Ben School” rezulton se operoi deri më 18 gusht 2025, kur mësimet në kompleks u ndërprenë. Tre fqinjë të ndryshëm konfirmuan për WIRED se gjatë vjeshtës nuk u panë më fëmijë që mbërrinin në rezidencë.
Por sipas zëdhënësit të familjes, Brian Baker, shkolla “nuk u mbyll thjesht u zhvendos”.
Nuk dihet ku ndodhet aktualisht apo nëse vepron me një emër të ri.
“Mark, Priscilla dhe fëmijët e tyre e duan komunitetin dhe janë përpjekur të shmangin çdo shqetësim për fqinjët”, tha Baker në një deklaratë për WIRED.
Përplasja me administratën e qytetit
Dokumentet tregojnë një sërë përplasje mes përfaqësuesve të Zuckerberg dhe zyrtarëve të qytetit.
Në një rast, një nga drejtuesit e planifikimit të Palo Alto, Jonathan Lait, i shkroi avokates së familjes, Christine Wade, duke theksuar se “shkolla në zonë rezidenciale kërkon patjetër leje të posaçme”. Wade kundërshtoi, duke pretenduar se aktiviteti përputhej me ligjet e shtetit dhe se familja po kërkonte licencë për një “qendër kujdesi ditor” me më pak se 14 fëmijë, një status që nuk kërkon miratim nga qyteti.
Por sipas WIRED, familja Zuckerberg nuk aplikoi kurrë për këtë licencë.
Në muajt pas mbylljes së shkollës, fqinjët kanë vazhduar të ankohen për zhurma, ndërtimet e pafundme dhe praninë e personelit në rrugët përreth.
Një prej tyre i tha WIRED “Sinqerisht, nuk e dimë çfarë po ndodh. Vetëm ndërtim, zhurmë dhe mbeturina.”
Skandali i “Bicken Ben School” ka lënë pas një ndjenjë të thellë mosbesimi ndaj autoriteteve lokale dhe ka ringjallur debatin për fuqinë e miliarderëve në komunitetet elitare të Silicon Valley.
Për shumë banorë, historia nuk është thjesht për një shkollë ilegale por për peshën që ka pasuria në raport me ligjin.




