Skandali i subvencioneve trondit Greqinë, tre ministra japin dorëheqjen

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Zëdhënësi i qeverisë greke ka njoftuar sot një riorganizim të kufizuar të kabinetit, në vijim të zhvillimeve të fundit që lidhen me skandalin e subvencioneve bujqësore të BE-së dhe dosjet e dërguara në Parlament.

Ministri i Zhvillimit Rural dhe Ushqimit, Kostas Tsiaras, ai i Krizës Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Giannis Kefalogiannis, si dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Dimitris Vartzopoulos, kanë dhënë dorëheqjen. Sipas burimeve, këto largime janë kërkuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Nga posti është tërhequr gjithashtu edhe sekretari i përgjithshëm i Demokracisë së Re, Kostas Skrekas.

Dorëheqjet vijnë pasi Prokuroria Evropiane i përcolli Parlamentit grek një dosje të tretë lidhur me çështjen e OPEKEPE-së, institucioni përgjegjës për shpërndarjen e subvencioneve bujqësore, ku dyshohet për abuzime. Në këtë kuadër është kërkuar heqja e imunitetit për 11 deputetë aktualë të Demokracisë së Re.

Në hetim janë përfshirë gjithashtu edhe 9 ligjvënës të tjerë konservatorë, përfshirë një ish-ministër dhe një ish-zëvendësministër të Bujqësisë. Për të gjithë pritet që Parlamenti të vendosë në ditët në vijim mbi heqjen e imunitetit, në mënyrë që Prokuroria Evropiane të vijojë procedurat hetimore.

Çështja lidhet me përfitimin e paligjshëm të subvencioneve bujqësore gjatë vitit 2021, përmes deklarimeve të rreme, manipulimeve në sistemet elektronike dhe ndërhyrjeve për të favorizuar aplikime të caktuara.

Sa i përket ndryshimeve në qeveri, posti i ministrit të Zhvillimit Agrar i është besuar Margaritis Schinas, ish-komisioner i BE-së, ndërsa në krye të Mbrojtjes Civile është vendosur Evaggelos Tournas. Zëvendësministër i Zhvillimit Agrar është emëruar Makarios Lazaridis.

Me këtë lëvizje, kryeministri Mitsotakis synon të dërgojë një sinjal të qartë se qeveria nuk do të tolerojë asnjë rast që ngre dyshime apo krijon kosto politike, duke reaguar menjëherë ndaj situatave problematike.

Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur qeveria konservatore përballet me kritika të forta nga opozita, jo vetëm për këtë skandal, por edhe për çështje të tjera si përgjimet, aksidenti tragjik hekurudhor, si dhe rritja e çmimeve të karburanteve, ushqimeve dhe banesave, që kanë rënduar ndjeshëm jetesën e qytetarëve.

Share This Article