Klinika e Roland Xhaxhos ku ndërroi jetë 3-vjeçari Brian Spahiu pas një ndërhyrjeje nuk kishte licencë për klinikë dentare. Në dokumentet që tregojnë skandalin e zbardhur nga News24, tregohet fakti se vajzës së Roland Xhaxhos, Ina Xhaxhos i është refuzuar marrja e licencës 6 herë dhe e ka marrë licencën vetëm 1 muaj pas ngjarjes tragjike, ku 3-vjeçari Brian Spahiu ndërroi jetë pas ndërhyrjes në klinikën dentare.
3-vjeçari kreu ndërhyrje në klinikën dentare në fund të muajit shtator 2023 dhe ndërroi jetë më 1 tetor, ndërsa në dokumentet vërtetohet se Ina Xhaxho e ka marrë licencën me 31 tetor 2023, një muaj më pas.
Si ndodhi ngjarja?
I mituri u dërgua nga familjarët në klinikën dentare për disa shërbime. Pasi mjeku, Roland Xhaxho i ka bërë grafinë, u ka thënë prindërve se fëmija ka 13 apo 14 dhëmbë për rregullim. Për shkak të numrit të lartë është vendosur që të kryhet operimi me narkozë.
Pas një operacioni që zgjati shumë orë, djali nuk është zgjuar më dhe është dërguar në shtëpi, sepse mjeku iu ka thënë familjarëve se do të zgjohet më vonë. Në shtëpi ai ka shfaqur probleme dhe rritje temperature dhe është dërguar në pediatri ku ka qëndruar në gjendje kome për 2 ditë dhe ka ndërruar jetë.
Trupi i të miturit është dërguar në morg për tu kryer autopsia. Për ngjarjen e rëndë familjarët bëjnë fajtor mjekun dhe vajzën e tij, Ina Xaxho. Daja i 3-vjeçarit tha se mjeket bënë ta pamundurën për ta shpëtuar por ishte vonë pasi i ishte helmuar mëlçia. Ai ka thënë se vrasësit janë Roland dhe Ina Xhaxho, dhe se do të bëjnë të pamundurën që ata të mos e kalojnë kaq lehtë. Gjithashtu ata kanë akuzuar dentistin për manipulim të ngjarjes.