Kompania turke Kurum e cila operon në zonën e ish Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, dyshohet se është origjina e qindra ton mbetje të rrezikshme të nisura nga Porti i Durrësit me destinacion Tajlandën.
Mbetjet e rrezikshme janë pluhur nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, të ngjashme me ato që Kurum përdor prej gati një dekade.
Po ku ndodhen pluhurat e kapura nga oxhaqet e Kurum?
I gjithë territori i Kurum është i rrethuar dhe i ruajtur me roje sigurie. Çfarë fsheh Kurum pas kësaj dere? Pse nuk lejohet askush të shohë përtej?
Në ambientet e Kurum këtë të hënë kanë zbarkuar efektivët e krimit ekonomik dhe prokurorisë së Durrësit të cilët i kanë konfirmuar Top Channel se kanë sekuestruar dokumentacionin e kompanisë dhe arkivat e saj që mund të kenë lidhje me çështjen.
Për të vënë me shpatulla pas murit shtetin shqiptar kompania turke mbylli dy sektorët prodhues, çelikun dhe petëzimin duke lënë në rrugë 500 punonjës.
Përballë kësaj situate edhe sindikata hesht, ndërkohë inspektoriati i punës është në ndjekje të situatës dhe bën me dije se aktualisht punonjësit e Kurum janë të paangazhuar me punë, por trajtohen financiarisht ndërsa subjekti nuk ka bërë asnjë kërkesë në QKB për pezullim apo ndërprerje të aktivitetit.
Ndërkohë përmes një deklarate zyrtare Kurum pranon mbylljen e dy linjave të prodhimit për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike, por mohon të ketë largim kolektiv nga puna të punonjësve. Kurum thotë se u ka propozuar punonjësve largimin nga puna pas 3 muajve kundrejt shlyerjes së të gjitha detyrimeve dhe pagesës së shpërblimit të vjetërsisë sipas ligjit, me opsionin gjithmonë të rikthimit në rast të rifillimit të punës.
Kujtojmë se në vitin 2016 Kurum pezulloi të gjithë aktivitetin për një periudhë 5-6 mujore duke larguar punonjësit.