Pas muajsh hezitimi dhe mungese vullneti politik, Kryeministri britanik Keir Starmer ka autorizuar nisjen e një hetimi të plotë publik për një nga skandalet më tronditëse në historinë moderne të Mbretërisë së Bashkuar: për dekada, mijëra vajza të mitura, të bardha dhe nga shtresa të margjinalizuara sociale, janë shfrytëzuar seksualisht nga grupe burrash me origjinë pakistaneze, ndërsa autoritetet zgjodhën të mbyllnin sytë nga frika e stigmatizimit racor.
Hetimi do të shqyrtojë pa mëdyshje përmasat etnike dhe kulturore të këtij skandali, që është injoruar për një kohë të gjatë në emër të një “kohezioni komunitar” të keqkuptuar, një qasje që i la vajzat e reja të pambrojtura përballë abuzuesve.
Për herë të parë, skandali u zbulua nga një gazetar investigativ i gazetës “The Times” në vitin 2011, por rastet datojnë që nga fillimi i viteve 2000, kryesisht në qytetet e varfra Rotherham dhe Rochdale, në veri të Anglisë.
Kohët e fundit, çështja ka rifituar vëmendjen publike pas një sërë postimesh të miliarderit Elon Musk, i cili kritikoi hapur qeverinë britanike për refuzimin e hetimit dhe për etiketimin e kritikëve si ekstremistë të djathtë. Ndërsa konservatorët dhe Nigel Farage përfituan politikisht nga rasti, në radhët e Laburistëve mbizotëronte një shqetësim i heshtur, me frikën se çështja po shfrytëzohej për qëllime raciste.
Në janar u caktua një komision verifikimi i udhëhequr nga baronesha Casey, i cili, sipas burimeve, në raportin që do të publikohet javën e ardhshme, rekomandon hetimin kombëtar publik.
Starmer mori iniciativën dhe gjatë udhëtimit të tij për në samitin G7 në Kanada, njoftoi zyrtarisht nisjen e hetimit, lëvizje që, megjithëse e vonuar, u përshëndet nga opozita.
Vetëm dy ditë më parë, shtatë burra pakistanezë nga Rochdale u shpallën fajtorë për abuzim seksual të dy vajzave, që kishin nisur kur ato ishin vetëm 13 vjeç. Vajzat ishin manipuluar me cigare, alkool dhe drogë, për t’u shfrytëzuar seksualisht nga dhjetëra burra – një model i përsëritur që përfshin mijëra të mitura në të gjithë vendin.
Abuzimet ndodhën nën një heshtje të përgjithshme: nga njëra anë, vajzat e margjinalizuara shiheshin si të pavlera, nga ana tjetër, institucionet nuk guxonin të adresonin përmasën etnike të abuzuesve, për të mos u akuzuar për racizëm
Hetimi që do të nisë zyrtarisht pritet të jetë veçanërisht i sikletshëm për Partinë Laburiste, pasi shumë nga bashkitë ku ndodhën këto abuzime ishin të drejtuara nga laburistët.
Për më tepër, komuniteti pakistanez ka qenë historikisht një bazë e fortë elektorale për këtë parti, një realitet që tani do të detyrohet të përballet me të vërteta të hidhura.