Skandali “Saraçi”/ Kur Ministri i Shqipërisë ktheu shtëpinë në qendër kontrabande!

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!
[vplayer id=”181117″]

Nga Aleksandër Cangonja

(Shkrimi bazohet mbi raportimet e dy gazetave të kohës: “Cumhuriyet” (Stamboll) dhe “Vreme” (Beograd), të botuara në qershor dhe korrik të vitit 1935. Materiali paraqitet si një dokument historik që pasqyron jehonën mediatike të asaj periudhe. Megjithatë, duhet saktësuar se në aspektin historik ka pasaktësi në këto raportime: sot dihet se Ministri Sandër Saraçi nuk u arrestua menjëherë siç pretendonte shtypi, por dha dorëheqjen pas disa ditësh, ndërsa për fatin e vëllait të tij, Patukut, nuk ka të dhëna të sakta që vërtetojnë burgosjen e tij.)

Në mesin e viteve ’30, Shqipëria u përfshi nga një prej skandaleve më të bujshme të korrupsionit të kohës. Sandër Saraçi, Ministri i Punëve Botërore (P. Botore), u arrestua dhe u burgos pasi u zbulua se ishte koka e një rrjeti të organizuar kontrabande. Ky skandal pati jehonë të madhe, duke u raportuar jo vetëm në shtypin vendas, por edhe në atë ndërkombëtar.

Zbulimi i “Fabrikës” brenda shtëpisë së Ministrit

Gjithçka nisi kur policia e Tiranës ndaloi dy persona që shisnin letër cigareje kontrabandë, një mall që në atë kohë ishte monopol shtetëror i fabrikës “Stamles” në Durrës. Sipas raportimit të gazetës “Cumhuriyet” (Nr. 3098, datë 3 korrik 1935, Stamboll), dëshmia e tyre ishte tronditëse:

“Dy kontrabandista letrash cigaresh qi u zunë herën e fundit… deklaruen se e kanë pregatitë në Shtëpinë e Ministrit P. Botore, Z. A. Saraçit. Mbi këtë u banë kërkime në shtëpinë e Z. Ministrit, ku gjindën letra cigaresh të pa vullueme.”

Falsifikimet dhe abuzimi me postin ministror

Hetimet zbuluan se skandali ishte shumë më i thellë se thjesht shitja e letrës. Grupi kishte arritur të falsifikonte vulat shtetërore për të kaluar mallin si legjitim. Për më tepër, Saraçi kishte përdorur postin e tij për të futur në Shqipëri pajisje luksi pa paguar asnjë taksë doganore, duke i maskuar ato si “materiale ndërtimi” për ministrinë.

Gazeta “Vreme” (Nr. 4068, fq. 5, datë 23 qershor 1935) sqaron skemën e përdorur:

“Asht tue u ditun dhe per zbulimin e tjera sendeve te kontrabanduesme, si aparate radiosh, llampa etj. te cilat nen titull materjal ndertimi kan arritun n’adrese e Ministrise P. Botore dhe si i tille… jane lirue nga pagesa e takses doganore.”

Rënia dhe Burgosja: “Nji ngjarje e jashtzakonshme”

Edhe pse vëllai i tij, Patuk Saraçi, u përpoq të merrte fajin mbi vete për të shpëtuar ministrin, provat ishin dërrmuese. Siç raporton “Cumhuriyet”, si ministri ashtu edhe i vëllai përfunduan në burg:

“Ndonse vëllau i Ministrit pretendoi se këtë punë e ka ba vetë e se nuk ka kush dijeni mbi të, por si Ministri ashtu dhe i vëllai u burgosën të dy.”

Përfundimi: Një rrjet i mirëfilltë kriminal

Ky rast mbetet në historinë e shtetit shqiptar si një dëshmi e hershme e luftës mes pushtetit dhe ligjit. Përfundimi i nxjerrë nga shtypi i kohës ishte i qartë:

“Shifet qe Ministri Saraçi ka qene ne krye te nji Shoqnies s’organizuere mire qi t’ueh ne kohe e me dobie ka tregtue me kontrabande.” (Vreme, 1935).

Gazeta “Cumhuriyet”, Nr. 3098, Stamboll, 3 korrik 1935.

Gazeta “Vreme”, Nr. 4068, faqja 5, 23 qershor 1935.

Share This Article