Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Josep Borrell, pas mbledhjes së Këshillit të Stabilizim-Asociimit, të zhvilluar në Tiranë, njoftoi se kryeministri Edi Rama i ka bërë me dije se “skema e pasaportave të arta nuk do të ndiqet më tej”.
“Mirëpritëm deklaratën e zotit kryeministër se skema e pasaportave të arta nuk do të ndiqet më tej”, tha Borrell.
Në progresraportin e Komisionit Evropian për vendin tonë, të publikuar në tetor të vitit të kaluar, thuhej se “Shqipëria rrezikon që t’i rikthehen vizat në rast se dhënia e shtetësisë sipas skemave investitore konsiderohet se përbën një rrezik në rritje për sigurinë e brendshme dhe politikën publike të Bashkimit Evropian”.
Më tej, Borrell theksoi se mbledhja e sotme që u mbajt në Tiranë është një mesazh “për integrimin evropian të Shqipërisë”.
“Këto mbledhje të rëndësishme vjetore mbahen zakonisht në Bruksel apo Luksemburg, por sot po e zhvillojmë në Tiranë, për të dhënë një sinjal të fortë për angazhimin tonë për rrugëtimin e Shqipërisë si anëtar i Bashkimit Evropian. Mesazhi kryesor është angazhimi jonë i patundur për integrimin evropian të Shqipërisë. Po punojmë së bashku për këtë, që nga negociatat e deri te nismat konkrete, siç është pjesëmarrja juaj në politikën tonë të përbashkët për sigurinë dhe mbrojtjen. Ky vend ka treguar shumë angazhim ndaj reformave të nevojshme, veçanërisht në drejtësi. Reforma në Drejtësi ka qenë rrënjësore dhe ka ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme”, deklaroi Borrell.