Parlamenti i Skocisë ka votuar për detyrimin e paraqitjes së certifikatës së vaksinimit kundër COVID-19 për qasje në ngjarje të caktuara, duke u bërë kështu vendi i parë në Britaninë e Madhe që miraton një masë të tillë.
“Masa, që do të hyjë në fuqi më 1 tetor, synon të frenojë rritjen e rasteve të COVID-19, që i atribuohen kthimit në shkollë dhe të shmangë rivendosjen e kufizimeve të lidhura me pandeminë”, tha ministri skocez i Shëndetësisë, Humza Yousaf, para votimit.
“Ne nuk duam të rivendosim asnjë nga kufizimet që kanë qenë në fuqi për pjesën më të madhe të këtij viti, sepse të gjithë e dimë se sa të dëmshëm kanë qenë për biznesin, arsimin dhe mirëqenien e njerëzve, por ne duhet të ndalojmë rritjen e rasteve”, shpjegoi ai.
Certifikatat e vaksinimit kundër koronavirusit të ri do të kërkohen për qasje në klube nate, festivale muzikore dhe për të marrë pjesë në ndeshje të caktuara futbolli.
Një aplikacion smartphone do të lejojë monitorimin dixhital të statusit të vaksinimit.
Qeveria e Boris Johnson ka treguar se po shqyrton një masë të tillë për të hyrë në klube nate dhe stadiume në Angli, por ende nuk është bërë asnjë njoftim konkret.