Skuadrat e futbollit gjerman kanë filluar javën në izolim, pasi janë futur në një karantinë 7-ditore, para rifillimit të stinorit në Bundesligë të shtunën.
Krerët e klubeve e pranojnë se përfundimi i stinorit nuk do të jetë i lehtë duke marrë parasysh shpërthimin e koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.
Liga e Futbollit Gjerman (DFL) vendosi javën e kaluar që të rifillojë stinori në Bundesliga 1 dhe Bundesliga 2 nga 16 maji pas një pezulli dy mujor, duke e bërë ligën e parë të madhe sportive që tenton rifillimin e garave.
Skuadrat janë dërguar në një izolim të detyruar 7-ditorë pasi janë testuar për virusin, në mënyrë që të reduktojnë rrezikun e infektimit para fillimit të ndeshjeve. Ndeshjet do të luhen pa tifozë, ku do të jenë prezent vetëm stafi esencial, për të parandaluar përhapjen e virusit.
Disa klube, përfshirë kampioni Bayern Muenchen, Borussia Dortmundi dhe Wolfsburgu, kanë zgjedhur hotelet në qytetet e tyre si vende për karantinë, në mënyrë që të zvogëlojnë kohën e udhëtimit për në stërvitje dhe aeroporte për ndeshjet e fundjavës.
Klubet tjera si Schalke, që do të përballet me Dortmundin të shtunën, dhe Borussia Moenchengladbachu, janë duke përdorur për karantinë hotelet në stadiumet e tyre.
Bayer Leverkuseni e Union Berlini janë shpërngulur në hotele më në periferi, derisa Paderborni, klub që zë vendin e fundit në renditje në Bundesligë, do ta përdorë për izolim një vend me ujëra termal.
Lojtarët dhe stafi kanë mbajtur maska ndërsa janë larguar për në hotele, ku distanca mes tavolinave gjatë drektës dhe darkës do të jetë sipas protokolleve të kërkuara, si dhe lojtarët do të flejnë në dhoma njëshe. Ata po ashtu janë të detyruar të rregullojnë shtratin e tyre vet, për të evituar kontakte me persona tjerë.
Planet për rifillimin e futbollit morën një goditje të shtunën, kur klubi i Bundesliga 2, Dynamo Dresden, u detyrua të futet në një karantinë dyjavore, pasi dy lojtarë rezultuan pozitiv me koronavirus.
“Ne gjithmonë kemi pritur se pjesa e mbetur e stinorit nuk do të kalojë pa telashe”, ka thënë shefi-ekzekutiv i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke për “Funke”. “Këto teste dhe rezultatet janë po ashtu shenja të transparencës sonë”.
Liga, e përkushtuar që ta mbarojë stinorin deri më 30 qershor për t’iu përmbajtur kontratave që ka me kompanitë pronare të drejtave televizive dhe me sponsorët, ka caktuar rregullore të detajuara sa i përket stërvitjeve dhe ndeshjeve, përfshirë edhe testime të vazhdueshme. Kjo edhe ka bindur qeverinë që të jap dritën e gjelbër.
Por, me 170 mijë të infektuar në Gjermani dhe mbi 7400 të vdekur, DFL shqetësohet se testimet pozitive mund të dëmtojnë gjasat e përfundimit të stinorit dhe po ashtu të rrezikojnë ekzistencën e disa klubeve si rrjedhojë.
“Unë pres që të gjithë të jenë të përgjegjshëm”, ka thënë shefi ekzekutiv i DFL-së, Christian Seifert.