Skuadrat e Serie A do të kenë nga dy ndeshje në javë për pjesën e mbetur të edicionit. Edicioni në kampionatin italian është ndërprerë në mars për shkak të koronavirusit, ndërsa të hënën është publikuar orari i ndeshjeve të mbetura.
Liga italiane ka konfirmuar se edicioni do të rifillojë më 20 qershor dhe do të përfundojë më 2 gusht. Do të ketë ndeshje thuajse çdo ditë gjatë kësaj periudhe, për të kompletuar 12 xhirot e mbetura e po ashtu katër ndeshje të shtyra. Gjitha këto ndeshje duhet të zhvillohen brenda gjashtë javëve.
Të enjten qeveria italiane dha leje për rifillim të edicionit. Ndeshjet e fundjavës do të luhen prej të shtunës deri të hënën, ndërsa ndeshjet e mesjavës prej të martës deri të enjten.
Ndeshjet kryesisht do të luhen prej orës 19:30 e 21:45, por disa ndeshje do të fillojnë edhe në ora 17:15 me gjithë brengat nga unioni i lojtarëve për temperaturat e larta të mundshme.
Liga do të vazhdojë me katër ndeshjet e mbetura. Torino – Parma do të luhet nga ora 19:00 më 20 qershor, ndërsa ndeshje tjetër është ajo në mes të Veronas dhe Cagliarit.
Interi i vendit të tretë luan ndaj Sampdorias një natë më vonë, kurse Atalanta takohet me Sassuolon.
Më 22 qershor do të nisë xhiroja e parë e rregullt. Do të luhen tri ndeshje, duke përfshirë atë të Juventusit me Bolognan. Lazio do të luajë ndeshjen e parë dy ditë më vonë, në udhëtim ndaj Atalantas.
Ndeshja që mund të jetë vendimtare, në mes të Juventusit dhe Lazios do të luhet më 20 korrik.
Juventusi po e kërkon titullin e nëntë rresht. Udhëheq në tabelë me 63 pikë nga 26 ndeshje. Lazio është e dyta me 62 pikë.
Ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Italisë mund të luhen më 13 qershor kurse finalja është më 17 qershor.