Sulmi i investitorëve nga Amerika e Veriut në futbollin evropian vazhdon me intensitet të pandërprerë dhe tani emri i Snoop Dogg shfaqet në listën e atyre që po shpenzojnë para tek klubet britanike.
Reperi, producenti dhe aktori amerikan është bërë aksionar minoritar te klubi uellsian i Swansea, i cili është në pronësi të bashkëkombësve të tij, biznesmenëve Andy Coleman, Brett Kravat, Jason Cohen. Edhe Luka Modric, i cili në moshën 39 vjeç nënshkroi një kontratë njëvjeçare me Milanin, është bashkuar gjithashtu me aksionarët e ekipit disa muaj më parë.
Snoop Dogg bëri një paraqitje surprizë më parë gjatë kësaj jave, teksa u shfaq me fanellat e Swansea City në stadium, dhe siç rezultoi, prania e tij ishte një pararendës i përfshirjes së tij në menaxhimin e klubit.
“Dashuria ime për futbollin është e njohur, por është diçka e veçantë për mua të bëj hapin drejt pronësisë së klubit përmes Swansea City. Historia e klubit dhe e rajonit më preku vërtet. Është një qytet dhe një ekip krenar dhe punëtor. Një autsajder që lufton – njësoj si unë. Jam krenar që jam pjesë e Swansea City dhe do të bëj gjithçka që mundem për të ndihmuar ekipin”, tha ai në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të klubit, me artistin amerikan të njohur për dashurinë e tij për futbollin.
Snoop Dogg më parë kishte shprehur interes për të investuar në një ekip futbolli, veçanërisht tek skocezët e Celtic, tifoz i të cilëve edhe është, por tani të gjithë presin ta shohin atë në Uells.
“Mjellmat” e Swansea përfunduan të 11-tët në kampionat sezonin e kaluar me 61 pikë, ndërsa tani derbi uellsian me Wrexham të sapopromovuar (në pronësi të pronarëve të Hollywood-it Ryan Reynolds, Rab McElhenney) merr një ngjyrë tjetër.