Pikët e plota së bashku me Interin në krye të renditjes e kthejnë thuajse në detyrim fitoren në derbi për Milanin, sidomos pas shuplakave në seri të marra gjatë këtij viti 2023. Ndër elementët kyç për “djallin” është pa dyshim Rafael Leao që do të mundohet të prishë mallkimin. Fillesa për t’ia dalë mbanë është Botërori i fundit ku Rafael Leao fitoi statusin e tij brenda kombëtares portugeze.
Në Katar ai i shënoi golin e 6-1 Zvicrës e cila në portë kishte Jan Zomerin, portierin aktual të Interit. Një pikënisje e mirë për të tentuar suksesin në derbi që për kuqezinjtë mungon prej një viti.
FJALA E PORTUGEZIT – Ndërkohë, Leao ka fituar çmimin “Gentleman” për golin e shënuar në sezonin e kaluar në Champions kundër Napolit. Në kuadër të tërheqjes së këtij trofeu individual, 24-vjeçari ka dhënë edhe një deklaratë të shkurtër: “Ndaj Napolit ishte i bukur, por më pëlqen akoma më shumë ai që shënova kundër Romës.
Kisha kohë që e dëshiroja një gol me roveshatë. Ishte shumë i bukur dhe erdhi në një moment të rëndësishëm të ndeshjes. Më special e bën fakti se ishte i pari për mua në “Olimpico”. Sipas mendimit tim një gol me roveshatë është më i bukuri që një futbollist mund të shënojë”, tha Leao. Atij iu kërkua edhe një koment mbi numrin e ri që duket se ia ka shtuar përgjegjësit.
Lidhur me këtë fakt, portugezi shtoi: “Për mua është një numër i lojtarëve të mëdhenj të Milanit. Ky klub ka pasur gjithmonë numra 10 të fortë. Ishte koha e duhur për të marrë fanellën, për të hyrë në fushë dhe për t’u treguar të gjithëve se çfarë mund të bëj në fushë me atë numër që për mua përbën krenari dhe përgjegjësi”.
DERBI – Nuk mund të mungonin pyetjet mbi derbin, një temë të cilën Leao as tentoi ta driblonte. Në fjalën e tij ai garantoi se Milani do të jetë gati për takimin e nesërm në orën 18:00. “Është gjithmonë një ndeshje shumë e fortë, dy skuadrat janë të emocionuara për të luajtur. Moment shumë i bukur, të gjithë bashkëlojtarët e mi presin këtë lloj ndeshjeje. Fitoftë ekipi më i mirë”, përfundoi Rafael Leao.