Sonda dhe roveri kinez kanë pezulluar eksplorimin në Mars që nga mesi i shtatorit për shkak të një “ndërprerjeje të shkaktuar nga rrezatimi diellor”, njoftoi sot Administrata Kombëtare Kineze e Hapësirës.
Administrata tha se “ndërprerja e shkaktuar nga rrezatimi diellor” i referohet situatës kur Marsi dhe Toka lëvizin nga të dyja anët e Diellit dhe përafrohen pothuajse në mënyrë perfekte. Gjatë kësaj periudhe, komunikimet midis dy planetëve ndërpriten për shkak të rritjes së rrezatimit elektromagnetik diellor.
Ndërprerja do të zgjasë deri në mes të tetorit.
Misioni kinez ”Tianwen-1” u lançua më 23 korrik 2020 ndërsa automjetet zbuluese mbërritën në Planetin e Kuq më 10 shkurt 2021.
“Tianwen”, që do të thotë “Pyetje Qiellore” ose “Pyetje për Parajsën” në gjuhën kineze, mori emrin nga vargjet e poetit kinez Qu Yuan, i cili jetoi në shekullin e katërt para Krishtit. Roveri Mars, megjithatë, është emëruar sipas Zhurong, perëndisë së zjarrit dhe luftës në mitologjinë kineze.
Kina po shfaqet si një fuqi e re në garën hapësinore të udhëhequr nga SHBA-ja dhe Rusia me hapat e saj ambiciozë drejt misioneve eksploruese në Hënë dhe në Mars, teknologjisë satelitore dhe ekspeditave hapësinore vitet e fundit.
Kina, e cila ka bërë përparim serioz në zhvillimin e programit të saj hapësinor me satelitët, raketat, anijet kozmike, automjetet e zbulimit dhe pajisjet e tjera që ka prodhuar gjatë 20 viteve të fundit, po punon për të krijuar stacionin e saj hapësinor përveç programit hulumtues hënor ”Chang’e-I”.