Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë homazhe efektivit të vrarë në Veri, Afrim Bunjaku.
“Sot është ditë zie në Kosovë, e bashkë me pikëllimin dhe dhimbjen ndjejmë edhe krenari për Afirimin dhe të gjithë policët e tjerë”, u shpreh Kurti gjatë fjalës së tij.
Ai theksoi se policia e Kosovës shmangu një skenar më të gjerë kriminal e terrorist.
“Sot është ditë zie në Kosovë, e bashkë me pikëllimin dhe dhimbjen ndjejmë edhe krenari dhe besim për Afirimin dhe të gjithë policët e tjerë. Për policinë tonë që me veprimet e saj profesionale dhe të guximshme dje e pamundësuan një skenarë më të gjerë kriminal e terrorist.
Ky sulm u realizua nga një grup personash shumë të armatosur dhe të pajisur rëndë, të trajnuar profesionalisht dhe me plan dhe të përkrahur politikisht dhe të financuar materialisht dhe të mbështetur logjistikisht nga Serbia.
Reagimi profesional i policisë tonë rezultoi me eliminimin e disa terroristëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e të gjithë grupit të tyre, dhe konfiskimin e armatimit. Faktet dolën në sytë tanë dhe në sytë e ndërkombëtarëve”, tha Kurti.