Sot greva e përgjithshme në Itali, sindikatat kundër projektbuxhetit të qeverisë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Italia është paralizuar sot nga greva në të gjithë sektorët publikë dhe privatë gjatë gjithë ditës, përveç transportit ajror. Sindikatat kishin njoftuar grevën e përgjithshme kundër Manovrës financiare, projektbuxhetit të qeverisë që e cilësojnë “të padrejtë” dhe “të çmendur”.

Sipas Konfederatës së Përgjithshme Italiane të Punës, projektbuxheti duhet ndryshuar. Ndërkohë rinis përplasja në distancë midis qeverisë dhe sindikatës. Në qendër të debatit rikthehet edhe akuza e “fundjavës së zgjatur”, të cilën qeveria e hedh poshtë. “Rastësi apo jo, nga 24 greva të përgjithshme, 17 janë bërë të premten”, ironizon zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Matteo Salvini.

Maurizio Landini, sekretar i përgjithshëm Konfederatës së Përgjithshme Italiane të Punës i kundërpërgjigjet: protesta “nuk është politike” dhe zgjedhja e ditës së premte, shpjegon ai, u lehtëson njerëzve pjesëmarrjen në manifestime.

Greva prek të gjithë sektorët, publikë dhe privatë, gjatë gjithë ditës. Përjashtohet vetëm transporti ajror, sepse është planifikuar një grevë tjetër më 17 dhjetor. Përjashtuar është edhe personeli i Agjencisë së Transportit Rrugor, Hekurudhor dhe Tramvajit i Bashkisë së Romës, i cili kreu grevë të martën e kaluar.

Në transportin publik lokal, autobusë, metro, tramvaj ndërprerja është 24-orëshe, duke respektuar fashat e garancisë të përcaktuara në nivel lokal. Në hekurudha, ndalimi i punës së personelit është nga mesnata deri në orën 21 të ditës së premte. Garantohet qarkullimi i trenave me distancë të gjatë (Trenitalia, Italo) dhe i atyre rajonalë vetëm gjatë fashave të garantuara 6-9 dhe 18-21.

Në të gjithë qytetet janë organizuar manifestime. Sindikalistët kërkojnë të ulen në tryezë me qeverinë për të diskutuar projektbuxhetin për t’i dhënë zë punëtorëve.

Share This Article