Sot nis legjislatura e XI-të e Kuvendit, 72 deputetë hyjnë për herë të parë. Seanca do të drejtohet nga Vasil Llajo

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Këtë të premte nis legjislatura e XI-të e Kuvendit të Shqipërisë e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Seanca konstituive do të nisë në orën 10:00 dhe në sallë do të ulen 140 deputetë, 72 prej të cilëve që hyjnë për herë të parë. Partia Socialiste ka 83 mandate, nga të cilët 53 prurje të reja. PD dhe aleatët kanë 50 deputetë, prej tyre 14 të rinj. PSD hyn me 3 deputetë, partia Mundësia me 2, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet me nga një deputet.

Seanca do të hapet nga deputeti socialist Vasil Llajo, pasi Sali Berisha dhe Tritan Shehu refuzuan ta drejtonin si më të moshuarit. Fillimisht do të ngrejë komisionin për verifikimin e mandateve, duke shqyrtuar dosjet e ardhura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Më pas deputetët do të betohen një nga një.

Pas betimit, pritet që mazhoranca të propozojë Niko Peleshin për kryetar të ri të Kuvendit, sipas njoftimit të një dite më parë nga Edi Rama. Votimi do të zhvillohet me fletë dhe kuti, ndërsa pas shpalljes së rezultatit Llajo do t’ia lërë vendin Peleshit, i cili do të mbajë fjalën e tij të parë.

Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, emëron Kryeministrin me propozim të partisë që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Kryeministri Rama paraqet brenda 10 ditëve në Parlament programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.

Kjo legjislaturë sjell një numër të lartë figurash të reja nga radhët socialiste, ish-ministra, kryebashkiakë apo drejtues të administratës publike, ndërsa opozita rikthen emra të njohur si Jozefina Topalli, Gent Strazimiri, Bardh Spahia dhe Igli Cara.

Mbledhja e kuvendit të ri, vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama shpalli kabinetin e ri qeveritar.

Share This Article