Sot nis viti i ri shkollor 2024-2025 në kuadër të të cilit, 28 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës, plot një mijë nxënës më pak krahasuar me vitin e kaluar.
Në total 350 mijë nxënës nisin sot vitin shkollor nga klasa e parë deri në shkollën e mesme. Pra rreth 46 mijë nxënës më pak në këtë vit të ri shkollor. Për mbarëvajtjen dhe sigurinë gjatë ditës së parë të vitit të ri shkollor janë marrë disa masa nga ana e institucioneve shtetërore.
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu tha se këtë vit shkollor, 238 mijë nxënës përfitojnë tekste shkollore falas ndërsa theksoi se në të gjithë vendin janë hapur 25 shkolla të reja dhe 216 laboratorë.
“Fillim i mbarë, me tekste falas për 238 mijë nxënës, 25 shkolla të reja, +216 laboratorë SMART dhe terrene të reja sportive, si dhe me mësues më të motivuar me rritjen historike të pagave në 950 euro në muaj për ta”, – shprehet Manastirliu.
Një urim për nisjen e vitit të ri shkollor pati nga krerët e shtetit, presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama të cilët uruan mbarësi për nxënësit që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Ndërkohë nga ora 07:00 deri në orën 09:00 ndalohet qarkullimi i furgonëve në Tiranë.
Policia ka rritur praninë e saj në mjediset publike të shkollave, duke caktuar efektivë në çdo institucion arsimor nga cikli i ulët dhe 8 vjeçare deri në gjimnaz. Për të gjithë drejtuesit e mjeteve që transportojnë nxënës do të kryhen kontrolle të imtësishme.
Edhe ky vit shkollor, ka shënuar rënie në numrin e përgjithshëm të nxënësve si dhe të fëmijëve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Shkak mendohet të jetë emigracioni i familjeve me fëmijë të vegjël si dhe rënia e lindjeve në vend.