Mesditën e sotme një grup tifozësh kanë tentuar që mes flamujve dhe banderolave që shërbejnë për dekor, të fusin në stadiumin “Air Albania” një numër të konsiderueshëm flakadanësh, kapsollash dhe lëndësh të tjera piroteknike.
Sasia u zbulua gjatë kontrollit në kuadër të masave të ndërmarra për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Poloni e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024.
Përgjegjësit janë shoqëruar në Komisariat ndërsa paralajmërohet se kontrollet e rrepta do të vijojnë për të parandaluar futjen e sendeve të kundërligjshme në stadiumin.
Ndalohen në stadium
Policia apelon dhe një herë, për të gjithë tifozët dhe sportdashësit, që kanë vendosur të ndjekin në stadium, ndeshjen e futbollit Shqipëri-Poloni, që në asnjë rast të mos mbajnë me vete, gjatë hyrjes në stadium, dhe që në asnjë rast të mos tentojnë të futin në stadium flakadanë apo lëndë të tjera piroteknike, sende të forta dhe metalike, monedha dhe banderola me përmbajtje raciste ose diskriminuese.
Mos mbuloni fytyrën
Gjithashtu policia apelon që tifozët dhe sportdashësit, që do të ndjekin ndeshjen në stadium, të mos mbulojnë fytyrën që bën të pamundur identifikimin e tyre, si dhe të mos dëmtojnë në asnjë mënyrë ulëset apo pajisje të tjera në stadium.
Ata që nuk do të respektojnë detyrimte do të përballen me sanksione penale konform ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë.