Southamptoni pret që Broja t’i ndihmojë me gola deri në fund të edicionit

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Sulmuesi i Chelseat, Armando Broja, është komod te Southamptoni, ku po e shijon futbollin e tij dhe po bëhet gjithnjë e më i mirë në nivelin më të lartë të futbollit.

Ky është vlerësimi i trajnerit të Southamptonit, Ralph Hasenhuttl. Ishte tekniku austriak që angazhoi 20-vjeçarin dhe dy futbollistë tjerë të talentuar të Chelseat në verë.

Për dallim nga Tino Livramento dhe Dynel Simeu, Broja është i vetmi që ka marrëveshje huazimi deri në fund të edicionit.
Reprezentuesi i Shqipërisë ka shfaqur formë të mirë në pjesën e parë të edicionit në Premier League. Ishte lojtar i ndeshjes të dielën, në fitoren 3:2 të Southamptonit ndaj West Hamit. Broja, ndër të tjera, siguroi penallti për Southamptonin.

Duke luajtur i vetëm në sulmin e Southamptonit, Broja kishte vetëm dy prekje të topit brenda zonës së West Hamit. Por, përfundoi sulme më shumë se çdo lojtar tjetër i Premier Leagues në fundjavë. Broja shtyu shokët e skuadrës përpara me forcën e madhe që ka.

Ka pasur thirrje të vazhdueshme që Chelsea ta kthejë Brojën në afatin kalimtar të janarit. Tifozët e Chelseat vlerësojnë se Broja do të ishte konkurrencë e mirë për Romelu Lukakun e Timo Wernerin, që nuk kanë shfaqur stabilitet deri më tani këtë edicion.

Sipas rregullave të Premier Leagues, Broja mund të kthehet te Chelsea vetëm gjatë afatit kalimtar dhe vetëm nëse dy klubet pajtohen. Nuk dihet nëse Chelsea ka opsion në kontratën e huazimit për ta kthyer Brojën gjatë janarit, nëse këtë e dëshiron.

“Ai është i shpejtë”, ka thënë trajneri Hasenhuttl. “Broja është super i shpejtë. West Hami ka pasur probleme me të në ndeshjen e parë”, ka shtuar trajneri i Southamptonit.

Ai ka folur për rëndësinë e Brojës për skuadrën. Shtatlarti ka shënuar katër gola dhe ka një asistim në 14 paraqitjet e deritashme në Premier League.

“Ai është shumë i rëndësishëm për Southamptonin. Absolutisht shumë i rëndësishëm. Ai po bëhet gjithnjë e më i mirë. Dhe atij po i pëlqen këtu te ne”, ka shtuar Hasenhuttl.

Broja kishte fillim të ngadaltë të edicionit te Southamptoni dhe madje ishte ftuar në zyrën e trajnerit për atë që Hasenhuttl e ka përshkruar si “bisedë shumë serioze”.

Tekniku austriak ishte i pakënaqur me përkushtimin e Brojës gjatë javëve të para në skuadër. Por pas takimit, Broja e ka larguar nga formacioni bazë Adam Armstrongun dhe ka stabilizuar veten si një prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit.

“Atij i pëlqen të luajë me ne. Broja po ndihet komod këtu dhe ka dëshirë të mësojë të punojë fort. Këtë po e bën në fakt”, thotë Hasenhuttl.

Broja ka luajtur huazim edhe te Vitesse në Holandë, ku shënoi 10 gola në 30 paraqitje. Broja është në vitin e parë të kontratës pesëvjeçare me klubin. Kontratën e fundit e ka nënshkruar më 18 korrik. Skuadra e madhe londineze llogarit shumë në shqiptarin për të ardhmen.

Share This Article