“Nuk ka rritje reale për buxhetin e shëndetësisë, pjesa dërrmuese e tij do të shkojnë për të paguar 4 koncesione”, tha sot në një deklaratë për mediet ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia.
Spahia u shpreh se “buxheti për shëndetësinë, njësoj si pjesa tjetër e buxhetit 2020, nuk ka prioritet një shërbim më të mirë për qytetarët nuk ka rritje reale për sistemin shëndetësor, nuk rrit pagesën për ndihmën sociale, nuk rrit pagat e mjekëve dhe infermierëve”.
“Vitin e ardhshëm, me taksat e shqiptarëve do të paguhen rreth 37 milionë euro për të mbajtur në këmbë koncesionet, që gllabërojnë djersën e shqiptarëve”, tha ai.
Spahia thekson se qeveria e Partisë Demokratike, e dalë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ka një plan për të nxjerrë nga kolapsi shëndetësinë.
“Ne do të anulojmë koncesionet korruptive në shëndetësi dhe kudo! Në planin e Partisë Demokratike rroga minimale për mjekët do të jetë 1200 euro dhe 700 euro në muaj për infermierët, duke i bërë kështu një shërbim të madh vendit me dhënien fund të eksodit të tyre. Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve do të shkojnë për rimëkëmbjen e ekonomisë së shqiptareve të ndershëm që e duan Shqipërinë dhe duan ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, në vendin e tyre”, tha ai./ATSH/