Kryetari i Bashkisë së Libohovës, Leonard Hida, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Mësohet se Hida dyshohet se në kohën qe ka pasur detyrën e shefit të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës ka lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike. Sipas informacioneve, në të njëjtën dosje me Hidën janë edhe disa të pandehur të tjerë.
“Nisur nga të dhënat që disponohen nga shërbimet si dhe ngjarjet e fundit të ndodhura në njësitë administrative ‘Cepo’ dhe ‘Picar’ krijojnë dyshime të arsyeshme se përveç personave të përfshirë në këtë aktivitet janë implikuar edhe punonjës policie të cilët kanë pasur detyrimin ligjor për zbulimin e aktivitetit kriminal, por ata kundrejt shpërblimeve si dhe nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre e kanë lejuar këtë aktivitet”, thuhet në dosjen hetimore.
Pas përfudimit të komunikimit të marrjes si të pandehur, Hide ka folur për mediat. “Kur kandidova për kryetar bashkie, nuk isha në dijeni të hetimit. Nëse është e nevojshme do largohem si kryetar bashkie për t’u përballur me drejtësinë”, tha Hide për mediat.