Prokuroria e Posaçme është duke verifikuar disa transferta parsh të kryera nga kompania 4 A-M jashtë Shqipërisë. Prokurorët e SPAK dyshojnë se këto transferta parash mund të kenë lidhje me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ndërkohë që verifikimet janë në proces.
Por si u shndërrua 4 A-M nga hiçi në një nga kontraktorët më të mëdhenj të shtetit? Zanafilla e suksesit fillon me Albcontrol.
Ndonëse fillimisht shihej si një kompani e lidhur me Partinë Demokratike për shkak edhe të origjinës tropojane të pronarëve të saj, në vitin 2012 kompania 4 A-M ishte vetëm një ndërmarrje modeste me një xhiro prej rreth 3.3 milionë eurosh. Por me ardhjen e socialistëve në pushtet, kompania e zotëruar nga Ardit Metaliaj dhe vëllezërit e tij nisi të ngjitej me një shpejtësi të rrufeshme duke u shndërruar në një nga peshkaqenët më të mëdhenj të fondeve publike.
Në vitet 2014-2015, 4 A-M mori disa kontrata të rëndësishme në Albcontrol, gjatë kohës kur ky institucion drejtohej nga Belinda Balluku. Kjo me sa duket ishte pikënisja e një marrëdhënie të veçantë, e cila do të forcohej edhe më shumë gjatë viteve në vijim, teksa pushteti i Ballukut rritej në mënyrë eksponenciale.
Në vitin 2018, xhiroja e kompanisë shkoi në 20 milionë euro. Një vit më vonë, në janar të vitit 2019, Belinda Balluku u emërua në krye të ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Dhe e ardhmja e 4 A-M nuk kishte si të ishte ndryshe, përveçse e ndritur.
Në vitin 2020, kompania realizoi një qarkullim vjetor prej 30 milionë eurosh. Por teksa pushteti i Ballukut konsolidohej edhe më shumë, kështu shtohej edhe fluksi i parave të buxhetit drejt 4 A-M. Në vitin 2021, kompania arkëtoi 43 milionë euro dhe në 3 vitet e fundit xhiroja e saj është konsoliduar në nivelin e 50 milionë eurove në vit.
Rritja e forte e 4 A-M
Pjesa dërrmuese e këtyre parave vinin nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, KESH dhe OSHEE, tre institucione në varësi direkte të Belinda Ballukut.
Në rrethet e bizneseve, të cilat kryejnë punë publike në infrastrukturë, flitej shpesh për disa kompani të preferuara në ministrinë e Infrastrukturës. Ato ishin 4 A-M e Metaliajve, 2T e Sakove dhe Alko Impex.
Bëhet fjalë për tre kompani, të cilat u rriten eksponencialisht me ardhjen e Belinda Ballukut në krye të ministrisë së Infrastrukturës duke arritur të qarkullonin deri në 130 milionë euro në vit të marra së bashku. Jo rastësisht të treja kompanitë gjenden edhe në tenderat e Unazës së Madhe, për të cilat SPAK njoftoi një ditë më parë se e ka marrë nën hetim Ballukun.
4 A-M ishte fituesja e lotit të dytë së bashku me Ed Konstruksion dhe IDK Konstruksion me vlerë 25 milionë euro, ndërsa 2T dhe Alko Impex morën kontratën e lotit të shtatë me vlerë 23.5 milionë euro, në tortën e madhe të Unazës për të cilën SPAK dyshon se është ndarë e gjitha me tendera fiktivë dhe të paracaktuar.
Por teksa hetimet për zëvendëskryeministren vazhdojnë dhe SPAK ka kërkuar në Parlament heqjen e imunitetit të saj, një nga pistat kryesore të tyre janë flukset e lëvizjes së parave dhe transfertave të dyshimta, që kompanitë me status special kanë bërë jashtë Shqipërisë.
Marrë nga Kapitali.al




