Connect with us

Albania

SPAK: Samir Mane dyshohet se ‘korruptoi’ Ilir Metën me një vilë në Rolling Hills

Published

on

Pas ndihmës së dhënë biznesmenit për ndryshimin e një ligji në fushën e minierave, Meta dhe Kryemadhi morën një vilë në Rolling Hills, por ata hoqën dorë nga aseti me vlerë 800 mijë euro kur ambasadori grek mësoi se do të bëheshin “komshinj.”

Nga Besar Likmeta-BIRN

Ish-Presidenti Ilir Meta u arrestua të hënën në mesditë nga policia me urdhër të SPAK. Pas një hetimi disa-vjeçar ndaj tij dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Prokuroria e Posaçme e akuzon ish-Presidentin për ndikime korruptive dhe përfitime monetare në çështjen CEZ-DIA, nga një marrëveshje interkoneksioni, si dhe për një marrëdhënie të dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji me porosi të biznesmenit Samir Mane, i cili sipas SPAK nuk është nën akuzë pasi çështja është parashkruar.

“Si rezultat i marrëdhënies së krijuar, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi kanë pranuar propozimin e biznesmenit Samir Mane për të përfituar një vilë të ndërtuar në Kompleksin Rezidencial Rolling Hills,” shkruhet në masën e sigurisë të SPAK, një kopje e të cilës është siguruar nga BIRN. “Pasi ky fakt është marrë vesh edhe nga persona të tjerë, përfshirë Ambasadorin Grek në Tiranë, ata kanë hequr dorë nga përfitimi, duke mos e finalizuar marrëdhënien,” thekson organi i akuzës, ndërsa shton se “pavarësisht kësaj, ata e kanë pranuar premtimin.”

Advertisement

Sipas SPAK, kjo nuk ishte ndërhyrja e vetme e çiftit Meta-Kryemadhi në favor të interesave të Samir Manes. Nga komunikimet midis Monika Kryemadhit dhe Samir Manes, të pasqyruara në vendim,  rezulton se ajo në shumë raste ajo ka ushtruar ndikimin e saj si deputete dhe si bashkëshorte e Ilir Metës për të zgjidhur probleme të ndryshme që biznesmeni ka pasur me administratën shtetërore dhe institucionet mbikëqyrëse të tregut – në mënyrë të veçantë me Agjencinë e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Përmbarimin Gjyqësor Shtetëror.

Përveç vilës në Rolling Hills, Mane ka blerë një banesë në Qerret për 300 mijë euro në ‘cash’ nga Meta dhe Kryemadhi, një shumë që sipas SPAK nuk është deklaruar nga ish-presidenti në deklaratat periodike të interesave private në Inspektoratin e Kontrollit të Pasurisë (ILDKPKI). Ndërkohë, bashkëshortja e Manes dyshohet se ka financuar udhëtime dhe dreka në Paris dhe Londër, si dhe bileta koncerti për vajzat e Metës, Bora dhe Era.

Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Ilir Meta e ka krahasuar arrestimin e tij nga Policia e Shtetit me një pengmarrje. “Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat,” shkroi ai. “Ju siguroj se pas njohjes me vendimin e arrestimit tim ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj në pafajësinë time të plotë,” shtoi Meta.

Advertisement

Edhe Monika Kryemadhi i ka hedhur poshtë akuzat e SPAK nëpërmjet një konference për shtyp të martën në mesditë. Për vilën në Rolling Hills, ajo ka deklaruar se Ilir Meta nuk ka pasur dijeni.

“Kam dashur të merrja një vilë pa dijeninë e Metës,” tha ajo. “E kam parë, e kam menduar, pa dijeninë e Metës,” shtoi Kryemadhi, duke shpjeguar se vilën do ta paguante duke shitur një shtëpi në zonën e ish-Bllokut.

Përmes një zëdhënësi, biznesmeni Samir Mane tha se nuk mund të komentonte mbi pretendimet në masën e sigurisë të Ilir Metës dhe Kryemadhit, derisa ndaj tij nuk ishte ngritur akuzë penale. “Nuk ka akuzë ndaj meje,” tha Mane. “Unë nuk mund të komentoj për akuza ndaj të tjerëve, sidomos kur nuk ka akoma një vendim gjykate të formës së prerë,” shtoi ai.

Advertisement

SPAK nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi pozitën e biznesmenit Mane në këtë hetim.

Marrëdhënie ‘korrupsioni’

Samir Mane është një nga biznesmenët më të njohur dhe të suksesshëm në Shqipëri, i njohur për investimet e tij në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ai është themelues dhe drejtues i grupit “Balfin”, një nga grupet më të mëdha të investimeve në rajon. Aktivitetet e tij përfshijnë ndërtimin e qendrave tregtare si TEG dhe QTU, zhvillimin e pasurive të patundshme me projekte si Rolling Hills, Green Coast dhe Vala Mar, investime në industrinë e minierave, teknologji dhe tregti pajisjesh elektroshtëpiake. Grupi “Balfin” ka gjithashtu investime në disa vende të tjera të Ballkanit, duke e bërë Manen biznesmenin më të pasur në Shqipëri.

Advertisement

Sipas SPAK, marrëdhënia e Manes me çiftin Meta dhe Kryemadhi shkon të paktën dy dekada pas. Në vitin 2007, Mane bleu një banesë nga ish-presidenti Meta në Qerret. Meta e kishte blerë banesën në vitin 2002 për 60 mijë USD dhe ia shiti Manes në vitin 2007 për 300 mijë euro në cash. Shuma e fituar nga shitja e banesës nuk u deklarua nga ish-presidenti në ILDKPKI në vitet 2007-2009. E njëjta banesë u rishit në vitin 2021 nga Mane gazetarit Baton Haxhiu për 80 mijë euro.

Në nëntor 2023, SPAK kreu kontrollin e banesës së nënës së Monika Kryemadhit dhe sekuestroi disa telefona celularë si prova materiale. Nga ekspertiza kompjuterike e një telefoni të përdorur nga Monika Kryemadhi në periudhën 2013-2014, SPAK evidentoi biseda të kryera mes Kryemadhit dhe personave të ndryshëm, përfshirë Samir Mane dhe Eva Mane, që ngritën dyshime për marrëdhënie korrupsioni mes tyre.

“Nga komunikimet midis Monika Kryemadhit dhe Samir Manes rezulton se Monika ka ushtruar ndikimin e saj si deputete dhe si bashkëshorte e Ilir Metës, për të zgjidhur probleme të ndryshme që Samir Mane ka pasur në lidhje me biznesin e tij,” shkruan SPAK.

Advertisement

Monika Kryemadhi ka pasur një seri komunikimesh me kreun e AKEP, Piro Xhixho, për dokumentet që duhej të përgatisnin Samir Mane dhe pronarja e Top Channel, Vjollca Hoxha, për të krijuar një kompani dhe për të lidhur një marrëveshje me Vodafone për trafikun e thirrjeve telefonike. Piro Xhixho gjithashtu e informonte Monikën për takimet dhe zhvillimet që kishin ndodhur lidhur me kompaninë Plus, aksioner i së cilës ishte Samir Mane.

Komunikimet vazhdojnë për çështje që kanë të bëjnë me licencat dhe marrëveshjet me kompanitë telefonike në Shqipëri, ku Piro Xhixho informon Kryemadhin për takime me përfaqësues të kompanive dhe ministrave të ndryshëm, duke e mbajtur të përditësuar për problemet dhe zhvillimet e sektorit të telekomunikacionit.

Sipas SPAK, del qartë se Samir Mane dhe përfaqësues të kompanisë Plus kërkonin ndihmën e Kryemadhit për të zgjidhur problemet me AKEP-in dhe operatorët e tjerë të tregut.

Advertisement

Xhixho përmend gjithashtu ndërmjetësimin e Ilir Metës, të cilin e referon si “Shefi”, për të zgjidhur çështjet e kompanisë Plus dhe për të mbajtur një balancë mes interesave të operatorëve kryesorë si Vodafone dhe AMC.

Kryemadhi ka ndërhyrë gjithashtu në emër të Manes tek ish-kryetari i Zyrës së Përmbarimit Tiranë për një procedurë të lidhur me kompaninë Albchrome, në atë kohë në pronësi të Manes.

Lobimi për ndryshimin e ligjit të minierave

Advertisement

Në vitin 2014, Ilir Meta mbante postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa Monika Kryemadhi ishte deputete e LSI-së. Sipas dosjes së SPAK, më 6 tetor 2014, Samir Mane i kërkoi Monika Kryemadhit një takim urgjent në restorantin ‘Berlini’ në Tiranë. Tema e bisedës ishte projektligji “Për sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë.” Në vitin 2013, Samir Mane kishte blerë kompaninë Albchrome, koncesionarin e minierës më të madhe të kromit në Bulqizë.

Nga shqyrtimi i bisedave midis Monika Kryemadhit, Samir Manes dhe ish-deputetit të LSI-së Përparim Spahiu, SPAK ka konkluduar se ata kanë diskutuar amendimin e ligjit në favor të Albchrome. Sipas SPAK, ish-drejtori i Albchrome, Saimir Boka, deklaroi se kompania kishte kërkuar ndryshimin e ligjit për servitutin e galerive dhe puseve vertikale, për të shmangur përgjegjësitë teknike nga kalimet e subjekteve të tjera në galeritë e Albchrome.

Mane ka dëshmuar në SPAK se nuk ka pasur marrëdhënie biznesi me Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën dhe nuk u ka kërkuar atyre ndihmë. Lidhur me ndryshimet e ligjit për minierat, për të cilat Mane ka shkëmbyer mesazhe me Kryemadhin, ai tha se ishin pjesë e rolit të tij si anëtar i shoqatës së minierave. Sipas dokumenteve të SPAK, ligji u amendua bazuar në propozimet e ish-deputetes së PS-së, Esmeralda Shkjau, për nenet 19 dhe 27 të projektligjit.

Advertisement

Vila në Rolling Hills: ‘Duhet dhe hamam e sauna’

Si pasojë e ndërhyrjeve në favor të interesave të Samir Mane, për miratimin e ndryshimeve ligjore dhe administrative, Meta dhe Kryemadhi dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme asete të patundshme, udhëtime jashtë shtetit dhe bileta koncerti.

“Shtetasja Monika Kryemadhi ka pasur një komunikim të vazhdueshëm me Samir Manen dhe bashkëshorten e tij Eva Mane,” shkruan SPAK. “Marrëdhënia e tyre përfshinte udhëtime në koncertin e këngëtares Beyoncé dhe argëtim në Disney në Paris, dreka në Angli, takime për kafe në Tiranë dhe vizita në shtëpinë e çiftit Mane në Rolling Hills, si dhe përfitimin e një vile nga Meta dhe Kryemadhi në kompleksin Rolling Hills,” shton organi i akuzës.

Advertisement

Fillimisht, Kryemadhi kishte diskutuar me Manen për të parë apartamente në katin e 17-të të pallatit Ambasador 3, por pasi vizitoi apartamentet dhe u konsultua me Eva Manen, vendosi të marrë një vilë në Rolling Hills.

Në 3 qershor 2014, Monika i shkroi Ilir Metës: “Eva Mane thotë jo tek pallati. Ka shumë njerëz dhe do ta bezdisin Ilirin,” duke shtuar se po shikonte diçka tjetër në Rolling Hills. Meta i është përgjigjur: “Ok. Duhet dhe hamam e sauna.”

Pas kësaj, Kryemadhi filloi të përhapte fjalën se do të lëvizte me qira tek vilat e Rolling Hills dhe angazhoi disa persona, përfshirë një arkitekt italian, për të kryer punimet.

Advertisement

SPAK pretendon se Meta dhe Kryemadhi, në këmbim të ndikimit të tyre të paligjshëm në institucionet publike për favorizimin e biznesmenit Samir Mane, pranuan premtimin për të përfituar një vilë në Rolling Hills, identifikuar si vila nr. 103. Kjo vilë dhe punimet e kryera në të gjatë vitit 2014 nuk u deklaruan nga Kryemadhi si pasuri, çka sugjeron sipas SPAK se kjo pasuri do të përfitohej si rezultat i veprimtarive korruptive të Kryemadhit dhe Metës.

SPAK thekson se veprimtaria e paligjshme e Kryemadhit dhe Metës përfshin miratimin e amendimeve në ligjin “Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë,” ndërhyrjen në favor të Samir Mane në Zyrën e Përmbarimit dhe te kryetari i AKEP, Piro Xhixho, për të favorizuar kompaninë Plus Communications.

Meta dhe Kryemadhi hoqën dorë nga vila në Rolling Hills pasi mësuan se persona të tjerë, përfshirë ish-Ambasadori Grek në Tiranë, e kishin marrë vesh marrëveshjen. Vila më pas iu shit një blerësi tjetër.

Advertisement

“Ndaloni çdo punim tek Eva, ta them unë pse,” i shkruan Kryemadhi mikeshës së saj Ema Çoku, e cila po merrej me punimet, duke shtuar: “Jam me Ilirin. I kishte thënë ambasadori grek që do jemi komshi, prandaj ndaloni komplet, më tha asgjë mos bëni.”

Sipas SPAK, Meta dhe Kryemadhi kanë kryer në bashkëpunim elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve,” sipas nenit 260 të Kodit Penal. “Fakti që ata hoqën dorë nga përfitimi sepse marrëveshja u bë publike, nuk mund të konsiderohet si heqje dorë nga kryerja e veprës penale, pasi vepra e korrupsionit konsumohet që në fazën e premtimit apo pranimit të premtimit,” përfundoi SPAK.

Advertisement
Continue Reading

Albania

“Që kur mesazhet janë prova?”, Rama: “Shpërdorimi i detyrës” do të rishikohet

Published

on

By

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, tha se në 3 mandatet e Partisë Socialiste, 37 raste i përkasin hetimeve për korrupsion apo shpërdorim detyre. Këtë të fundit, Rama e cilësoi një “nocion i cili duhet të rishikohet”.

Sipas tij, SPAK “ka dhënë dënime skandaloze”, ndërsa shtoi si një problem të madh publikimin në media të dosjeve hetimore dhe shtoi se “mesazhet nuk përbëjnë prova dhe nuk mund të jenë arsyeja parësore për të nisur gjyqe”.

“Jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga SPAK ka bërë korrupsion. Shpërdorimi i detyrës është një vepër që iu kthye dhe vetë BE-së, sepse është një term që futet një thes i madh. Sidomos kur jeton në një periudhë kur të gjitha llojet e tenxhereve hidhen përpjetë me gjithë kapakë për burg. BE iu rikthye nocionit me kërkesë të Gjermanisë dhe të Italisë. Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion, për ta specifikuar. Kushtetuta thotë që janë 3 pushtete të pavarura nga njëri-tjetri. Është pavarësia për të marrë vendime. Te vendimet nuk vjen dot një prokuror të thotë pse e vendose kështu dhe e vendose ashtu. Dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im është një vendim që ka një prapavijë të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm, këtu unë nuk jam i pavarur, këtu vjen drejtësia tek unë”, tha Rama.

“Qysh nga fillimi i këtij kapitulli të SPAK, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshijnë funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë e të mandatit të dytë? Janë rreth 80%. Ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen me periudhën më vonë. Në rastet që po flasim kemi nga të gjitha, kemi dënim për prerje pylli për një kryetar bashkie. Është një dënim skandaloz, kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë. Ka bërë burg për prerje pemësh. Rasti është për turp. Ka dhe raste të tjera qe nuk kanë lidhje me korrupsion që hyjnë tek këto raste. Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Kjo është një vepër tjetër, nuk është korrupsion”, shtoi Rama.

Advertisement

“Çfarë do të thotë mesazhe, që kur mesazhet janë prova? Dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediat? Dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq: çfarë ndodh dhe sa përgjegjës ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm? Për çfarë i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar tërësisht jeta dhe familja? Kush ia kthen atij njeriu pas jetën? Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij, nuk lejohen shumë nga këto gjëra që ndodhin këtu. Nuk fajësoj mediat, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet. Kemi çështje të zvarritura dhe Strasburgu ka evidentuar gjëra të rënda”, shtoi kryeministri.

Continue Reading

Albania

“Kemi raketa Javelin dhe tre anije patrulluese”, Rama: Kemi sot ushtrinë më të mirëpaguar, ia kalojmë edhe Serbisë

Published

on

By

Gjatë konferencës vjetore me gazetarët, kryeministri Edi Rama foli edhe për ushtrinë dhe sistemin mbrojtës.

Ai u shpreh se vendi ynë ka raketa Javelin dhe tre anije patrulluese.

Ndër të tjera kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria ka sot ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, duke ia kaluar kështu edhe Serbisë.

Kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshi edhe Serbinë. Ambicia jonë është që ushtria jonë të arrijë në mesataren e vendeve të NATO-s sa I përket anës financiare. Ky vit na gjen me një sistem raketor Javelin, na gjen me tre anije patrulluese që I kemi dhuratë nga Italia, na gjen me radarë falë bashkëpunimit me Francën. Ajo që mbetet ambicia kryesore është Shqipëria një vend prodhues i industrisë ushtarake.

Advertisement

Do prodhojmë dronët luftarakë dhe sistemet antidron. Në 2026 do të shihni edhe produktet e para. Ne vazhdojmë punën për të bërë kontrata të tjera për industrinë detare dhe ajrore”, u shpreh kryeministri Rama.

Continue Reading

Albania

Si u krijua aleanca mes mafies shqiptare dhe karteleve të drogës në Meksikë

Published

on

By

Nga Victor Manuel Sanchez Valdes, NORO ESTE

Njoftimi i Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve ndaj familjes Hysa, e cila është me shtetësi meksikane, por me origjinë shqiptare – për akuzën e pastrimit të parave në favor të fraksionit “Mayiza” të Kartelit të Sinaloas, i shtohet një liste të gjatë lajmesh që lidhin kartelet meksikanë me klane kriminale me origjinë shqiptare dhe ngre pyetjen: pse është bërë kaq e zakonshme lidhja mes organizatave të krimit të organizuar të Meksikës dhe Shqipërisë?

Në Meksikë dihet pak për mafien shqiptare, por ajo është shumë e rëndësishme në nivel ndërkombëtar, pasi, së bashku me ’Ndrangheta-n italiane, përbëjnë dy mafiet që kontrollojnë trafikun e drogës në Evropë dhe, për rrjedhojë, janë ndër aleatët kryesorë ndërkombëtarë të Kartelit të Sinaloas dhe Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG). Përveç Evropës, ajo ka prani edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi, përmes emigrantëve me origjinë shqiptare të vendosur në këto vende.

Në fund të viteve ’80, si mafia shqiptare, ashtu edhe ’Ndrangheta ishin relativisht të vogla krahasuar me organizata të tjera kriminale, por nga vitet ’90 nisën të rriten falë dy faktorëve kryesorë. I pari ishte dobësimi i mafieve me ndikim të madh për shkak të ndjekjes penale nga qeveritë evropiane, si mafia siciliane (Cosa Nostra), Camorra napolitane, mafia ruse, mafia galiciane apo Union Corse. Në të gjitha këto raste, autoritetet gjetën anëtarë të gatshëm të spiunonin bashkëpunëtorët e tyre, gjë që lejoi ndjekjen penale të shumë udhëheqësve dhe i bëri këto grupe partnerë më pak të besueshme për kartelet meksikanë apo kolumbianë.

Advertisement

Ndërsa “spiunët” dobësonin këto mafie, kartelet meksikanë dhe kolumbianë gjetën te mafia shqiptare dhe ’Ndrangheta aleatët e duhur, pasi në të dy rastet bëhet fjalë për grupe kriminale të përbëra vetëm nga persona me lidhje të drejtpërdrejta familjare – prindër, fëmijë, vëllezër, motra, xhaxhallarë e nipër – çka ul ndjeshëm rrezikun e tradhtisë, pasi lidhja e gjakut është vendimtare.

Faktori i dytë është se, në një kohë të shkurtër, falë diasporës së emigrantëve nga Shqipëria dhe Kalabria (rajon në jug të Italisë, prej nga e ka origjinën ’Ndrangheta dhe që karakterizohet nga të ardhura më të ulëta se pjesa tjetër e vendit), ata arritën të vendosin prani pothuajse në të gjitha vendet e Evropës, veçanërisht në porte, qendra të mëdha financiare, kryeqytete me popullsi të madhe dhe zona me rritje të shpejtë ekonomike.

Për shembull, mafia shqiptare ka prani në qytete shumë të rëndësishme si Londra, Berlini, Parisi, Stokholmi, Stambolli, Nju Jorku, Sidnej, Toronto, Madridi apo Roma, si dhe në porte me trafik të lartë tregtar në Evropë, si Hamburgu në Gjermani, Algeciras dhe Valencia në Spanjë, Antverpeni në Belgjikë dhe Roterdami në Holandë.

Advertisement

Duke qenë se portet janë pika kryesore e hyrjes së drogave si kokaina dhe fentanili në Evropë, dhe mafia shqiptare është ajo që është më e infiltruar në këto pika, ajo bëhet një aleate kyçe për organizata si Karteli i Sinaloas apo CJNG.

Por përveç këtyre dy arsyeve, ekziston edhe një e tretë që e dallon mafien shqiptare: përveç rolit kyç në trafikun e drogës, ajo u ofron organizatave meksikane edhe qasje në një rrjet shumë të gjerë pastrimi parash në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës, si Kina.

Shqiptarët investojnë në projekte imobiliare luksoze në të gjithë Evropën; janë pronarë kazinosh, hotelesh, qendrash turistike, spa-sh dhe restorantesh, por gjithashtu kanë krijuar aleanca me kinezë dhe turq për interesa në biznese të vogla me produkte të lira dhe pirateri në qytete të ndryshme.

Advertisement

Po ashtu, janë identifikuar operacione të tyre në qendrat kryesore financiare të Evropës, si Cyrihu, Gjeneva, Frankfurti apo Londra, si dhe blerje kriptomonedhash, përdorimi i platformave të lojërave elektronike apo mashtrime masive përmes mjeteve digjitale.

Në përmbledhje, mafia shqiptare është bërë një partnere shumë e vlefshme për kartelet meksikanë sepse është një nga blerëset më të mëdha të drogës, ka një rrjet të gjerë shpërndarjeje në Evropë dhe vende të tjera, ofron shërbime tepër të rëndësishme si pastrimi i parave dhe madje mund të sigurojë edhe armë të rënda.

Kjo bën të mundur që i njëjti klan shqiptar të ketë marrëdhënie biznesi me kartele armike mes tyre, si Karteli i Sinaloas dhe CJNG, sepse kostoja e prishjes së marrëdhënies është më e lartë sesa tolerimi i mungesës së ekskluzivitetit.

Advertisement

Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se, ndryshe nga Karteli i Sinaloas apo CJNG, mafia shqiptare nuk është një organizatë e vetme, por shumë të pavarura: çdo klan familjar funksionon si një bandë më vete, me portofolin e vet të bizneseve. Ndryshe nga organizatat kriminale meksikane, të cilat shpesh përplasen dhe konkurrojnë dhunshëm, shqiptarët rrallë përfshihen në konflikte të dhunshme dhe shumicën e kohës bashkëpunojnë mes tyre dhe ndajnë fitimet.

Për këtë arsye nuk është aspak çudi që familja Hysa, e vendosur në Meksikë, dhe që qeveria amerikane e lidh me fraksionin Mayiza, të shërbejë si urë lidhëse me klanet e mëdha evropiane dhe që, përveç pastrimit të parave përmes kazinove, të ofrojë qasje në një katalog shumë të gjerë investimesh në Evropë, gjë që është jashtëzakonisht e vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet meksikane. Pikërisht për këtë arsye, prej vitesh marrëdhënia mes organizatave shqiptare dhe atyre meksikane është intensifikuar.

Advertisement
Continue Reading

Live ALBUK TV

UK1 day ago

FOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli

Albania1 day ago

U kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri

Albania3 days ago

Shqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”

Sports1 day ago

Ish-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën

UK3 days ago

Rrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër

Albania1 day ago

Hetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë

Kosova22 hours ago

Këta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes

Albania2 days ago

VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë

Albania11 hours ago

Emigrantët kthehen, por Shqipëria nuk i mban

UK2 days ago

Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim

Bota23 hours ago

Mijëra vetë të ekspozuar ndaj fruthit, alarm në një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë

Albania2 days ago

“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri

Albania10 hours ago

Si u krijua aleanca mes mafies shqiptare dhe karteleve të drogës në Meksikë

Albania2 days ago

Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor

Bota1 day ago

Brigitte Bardot: Bjondia seksi që revolucionarizoi kinemanë franceze

Trending