Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako është arrestuar sot me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Pasi SPAK i ka prerë urdhër arrestin, A2 CNN mëson se Dako është vetëdorëzuar rreth orës 16:00 të ditës së sotme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke u vënë në dispozicion të drejtësisë dhe hetimeve të nisura ndaj tij.
Përveç Dakos, SPAK ka firmos urdhër arrest edhe për ish-zyrtarë të tjerë, mes të cilëve edhe ish-drejtori i Urbanistikës, Adhurim Qahajaj. Sipas burimeve jozyrtare, janë lëshuar 10 masa në total, nga të cilat 7 janë masa sigurie “arrest në burg” të dhëna në mungesë, ndërsa tre të tjerat më të buta. Gazetari Armand Bajrami bën me dije se urdhër arrestet janë lëshuar për abuzimet me një leje ndërtimi të disa viteve më parë për një pallat në lagjen nr.18, të dëmtuar nga tërmeti.
Pritet që SPAK të dalë me një njoftim për mediat, për të mësuar më shumë detaje lidhur me këtë operacion.
Vangjush Dako ka drejtuar Bashkinë e Durrësit për periudhën 2007–2019. Ndërkohë në korrik të 2019 Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë “Non Grata”, duke i ndaluar hyrjen atij dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.