Spanja do t’i hapë sot rrugën vendosjes së një shtetrrethimi në disa rajone të saj, një tjetër masë drastike në një kontinent europian të goditur rëndë nga vala e dytë e koronavirusit, që po shkaton rekorde edhe në SHBA.
Qeveria e Pedro Sanchez do të dekretojë sot një nivel tjetër alarmi duke autorizuar kufizimet, të dytat në vend pas atyre të muajit mars dhe që zgjatën deri në qershor.
Dje në mbrëmje, të paktën nëntë rajone spanjolle i kërkuan qeverisë qendrore të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme duke ditur që disa zona gjeografike i kanë marrë më parë këto masa me kufizime lokale, si Madridi, Castille-et-Leon (veri), rajoni i Valencias (lindje) dhe qyteti i Grenade (jug).
Sanchez kishte përgatitur terrenin duke u shprehur se situata është shumë e rëndë dhe se javët dhe muajt e ardhshëm do të ishin shumë të vështirë dhe se ishte i gatshëm për të miratuar të gjitha masat e nevojshme për të frenuar epideminë.
Dy ditë më parë, Spanja u bë vendi i parë i Bashkimi Europian dhe i gjashti në botë që kaloi një milionë rastet me COVID-19.
Kryeministri spanjoll theksoi disa ditë më parë se numri real i personave të infektuar nga koronavirusi në Spanjë ishte më i lartë se tre milionë, ndërkohë që numri i të vdekurve nga COVID-19 ka arritur në 35 000 që prej fillimit të pandemisë.