Parlamenti i sapozgjedhur i Spanjës votoi me shumicë të enjten për të zgjedhur një kandidat socialist si kryetar i Parlamentit, duke i dhënë frymë ambicieve të kryeministrit socialist në detyrë, Pedro Sánchez, për të formuar një qeveri tjetër të majtë.
Vota vendimtare u dha nga Francina Armengol që e çoi në 178 vota shumicën në parlamentin me 350 vende, kundër 139 që u dhanë për kandidatin kryesor konservator të Partisë Popullore.
Ky ishte votimi i parë parlamentar që nga zgjedhjet kombëtare të 23 korrikut, zgjedhje të cilat nuk i dhanë mundësinë asnjë grupimi për të formuar qeverinë. Partitë e majta dhe të djathta kanë pothuajse një numër të barabartë vendesh në parlament.
Mbetet për t’u parë nëse Sanchez mund të ketë të njëjtën mbështetje nëse ai thirret nga mbreti për të formuar qeverinë. Nëse jo, zgjedhjet e reja mund të jenë afër.
Armengol fitoi mbështetjen me 14 votave nga dy parti separatiste të rajonit verilindor të Katalonjës, duke përfshirë edhe 7 nga Junts (Së bashku), një parti separatiste radikale katalanase e udhëhequr nga politikani në arrati, Carles Puigdemont, i cili banon në Bruksel. Ai u largua nga vendi pas lëvizjes pasukses të tij për tu shkëputur nga Spanja.
Junts nxitoi të deklaronte se votimi ishte vetëm për pozicionin e kryetarit dhe nuk tregoi nëse partia do të mbështeste Sanchezin për një mandate të ri si kryeministër.
Por analistët bien dakord se një qeveri e re e udhëhequr nga Sanchez, pas këtij votimi, është një mundësi reale. Një rezultat i tillë përkthehet “sot është më afër se dje”.
“Janë ndërmarrë hapa për t’i kërkuar Junts një votë të favorshme për Pedro Sánchez,”- tha shkencëtari politik Toni Rodón nga Universiteti Pompeu Fabra i Barcelonës.
“Arritja e këtij pakti thyen akullin në një marrëdhënie (mes Junts dhe socialistëve) të dëmtuar nga një mosbesim i madh,”- shtoi ai.
Nëse kjo do të ndodhte, Puigdemont, i cili përballet me akuza penale në Spanjë, do të ishte në pozicionin kryesor për të përcaktuar rrjedhën e politikës së Spanjës për katër vitet e ardhshme.
Përveç Armengolit, socialistët dhe partneri i tyre i qendrës së majtë, Sumar, fituan katër vende në këshillin kryesues, si dhe Partia Popullore, duke e bërë bllokun e majtë me një shumicë prej 5 me 4.
Pa Junts, socialistët e Sánchez-it, Sumar (Forcat e Bashkuar) të qendrës së majtë dhe katër parti më të vogla kanë gjithsej 171 vende.
Partia Popullore, e cila mori numrin më të madh të votave në zgjedhjet e muajit të kaluar, partia e ekstremit të djathtë Vox dhe një parti më e vogël mund të mbledhin gjithashtu 171 vota në parlament. Për të marrë një shumicë absolute qeverisëse duhen 176 vota.
Humbja për Partinë Popullore të Alberto Núñez Feijóo-s theksoi izolimin e saj.
Kjo ka ndodhur për shkak të pakteve të saj të shumta në qeveritë rajonale dhe bashkiake me Vox, një parti që shihet si toksike nga grupet e tjera në Parlament, por që është forca e tretë politike në vend.
Në fund, as Vox nuk votoi për kandidatin e PP të enjten, duke treguar një përçarje serioze midis të dyve, duke dobësuar shumë shanset e Feijóo për të bindur mbretin se mund të krijojë një qeveri.
“Me këtë skenar, Mbreti Felipe VI ka tani më shumë arsye për t’i kërkuar Pedro Sánchez të jetë i pari që do të tentojë të forojë qeverinë, në vend të Feijóo, i cili kishte qenë zgjedhja e mundshme deri më tani,” duke pasur parasysh se ai fitoi sasinë më të madhe të votave në zgjedhjet e korrikut’- tha analistja politike Verónica Fumanal, e Shoqatës së Komunikimit Politik.
Por pikëpamjet e Puigdemont janë politikisht problematike për shumicën e spanjollëve dhe rënia në to mund të jetë një kurth vdekjeje për bllokun e majtë.
Ish-presidenti rajonal i Katalonjës dëshiron që qeveria e ardhshme e Spanjës të bëjë një amnisti për të dhe qindra separatistë të tjerë që përballen me probleme ligjore. Ai gjithashtu dëshiron që Madridi të autorizojë një referendum për pavarësinë e Katalonjës.
Pengesë tjetër për formimin e një qeverie do të jenë edhe ditët kur Mbreti Felipe VI do të fillojë konsultimet me liderët e partive të ndryshme për të parë se kush ka shansin më të mirë për të formuar qeverinë. Apnews