Avokat Spartak Ngjela e konsideroi ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Sandër Lleshaj, si të paaftë.
Ngjela i referohej situatës së krijuar në Shkodër, ku Partia Demokratike tentoi pengimin e takimit elektoral të kryeministrit Edi Rama, dhe ku sipas avokatit duhej një reagim më i fortë nga policia.
“Ministri i Brendshëm është i paaftë, duhet të fshihet menjëherë”, u shpreh Ngjela në Top Channel.
Ai deklaroi gjithashtu se Rama është kryeministër i dobët, pasi menjëherë pas vendimit të Voltana Ademit për të mos dhënë leje për takimin, duhet ta kishte pezulluar nga detyra e kryebashkiakes.
Sa i përket krizës politike, Ngjela tha se mazhoranca ashtu edhe opozita janë të lidhura me bandat. Dhe, sipas Ngjelës, kjo është arsyeja përse drejtuesit e partive politike janë të frikësuar nga reforma në drejtësi.
“Të dyja krahët janë me bandat. Fiton kush ka bandën më të fortë. Ky është problemi që kanë edhe me reformën në drejtësi. Po të kishte gjyqësor nuk do të kishte banda”, u shpreh Ngjela.
Spartak Ngjela theksoi se është kundër anarkisë që kërkon opozita dhe shtoi se PD me LSI janë kundër politikave perëndimore.