Ndeshje të anuluara, lojtarë në karantinë dhe debate për mandatet e vaksinave.
Sportet në Gjermani po përballen me një dimër ndërprerjesh pasi vendi po ballafaqohet me një valë të katërt të rritjes së infeksioneve të koronavirusit.
Fuqia e Bundesligës, Bayern Munichu, të hënën kishte pesë lojtarë në karantinë. Ata janë të pavaksinuar, kurse dy të tjerë janë në izolim pas infektimit me COVID-19.
Një grindje thuhet se po shpërthen në prapaskenë me klubin që planifikon t’ua zbresë pagën lojtarëve të pavaksinuar – Joshua Kimmich, Serge Gnabry, Jamal Musiala, Eric-Maxim Choupo-Moting dhe Michael Cuisance – sepse hezitimi i tyre për të marrë vaksinën bën që rreziku të jetë më i madh për klubin për humbjen e ndeshjeve.
“Është e qartë”, tha trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann, i cili vetë humbi katër nga ndeshjet e ekipit, pasi u infektua me koronavirus, pavarësisht se ishte vaksinuar.
Bayerni çuditërisht humbi në udhëtim nga Augsburgu në mungesë të Kimmichit të premten, dhe klubi ka frikë se lojtarët e pavaksinuar mund të humbasin gjithashtu ndeshjen potencialisht vendimtare me Borussia Dortmundin më 4 dhjetor. Dortmundi është vetëm një pikë prapa Bayernit në Bundesligë dhe të gjithë lojtarët e këtij ekipi janë plotësisht të vaksinuar. Dortmundi dha statusin e vaksinimit të lojtarëve të tij të hënën pas rezultatit pozitiv të testit të Thorgan Hazardir për COVID-19.
Asnjë lojtar tjetër nuk është prekur. Tashmë lojtarët e humbur, Bayernit do të mungojë edhe për ndeshjet në shtëpi. Zyrtarët e republikës bavareze po e kufizojnë numrin e spektatorëve në 25 për qind të kapacitetit për të gjitha ngjarjet sportive në një përpjekje për të mbajtur nën kontroll infeksionet në rritje. Shkalla shtatëditore e infeksioneve të Bavarisë për 100.000 njerëz ishte 640 të hënën, pothuajse dy herë më e keqe se shkalla kombëtare prej 386.5 – që është më e larta ndonjëherë për Gjermaninë deri më tani në pandemi. I vetmi territor që është më keq se Bavaria është Saksonia, e cila ka përjashtuar tërësisht tifozët në përpjekje për të kontrolluar shpërthimin. Ngjarja e Kupës Botërore të kërcimeve me ski në Klingenthal do të zhvillohet pa spektatorë nga 9 deri më 12 dhjetor dhe ekipet e futbollit Leipzig, Dynamo Dresden dhe Erzgebirge Aue do të duhet t’i luajnë të gjitha ndeshjet e tyre në shtëpi në stadiume bosh.
Baret dhe klubet e natës gjithashtu duhet të mbyllen, ndërsa tregjet e njohura të Krishtlindjeve janë anuluar. Leipzigu kritikoi qeverinë lokale se nuk bëri sa duhet për të kontrolluar shpërthimin e ri.
“Shkalla më e lartë e infeksionit nga të gjitha shtetet federale, e kombinuar me shkallën më të ulët të vaksinimit, është dëshmi se politikanët në Saksoni nuk kanë arritur ende të zbatojnë koncepte të shëndosha për të kontrolluar në mënyrë efektive pandeminë”, tha klubi i Bundesligës.
Leipzigu, i cili mbështetet nga prodhuesi i pijeve energjike “Red Bull”, iu referua gjithashtu asaj që tha se ishte “disavantazhi i tij konkurrues, duke qenë aktualisht i vetmi ekip i kategorisë së parë që duhet të luajë ndeshjet e ardhshme në shtëpi në stadium bosh”.
Christian Heidel, drejtori sportiv i klubit të Mainzit, kritikoi politikanët për atë që ai e quajti “popullizëm” për sugjerimin e vaksinave të detyrueshme për lojtarët.
“Shkalla e vaksinimit në politikë nuk është aq e lartë sa në futboll”, tha Heidel.
Asnjë ndeshje nuk është anuluar në Bundesligë këtë sezon, por ka pasur anulime në kategorinë e dytë dhe të tretë. Ndeshja mes St. Paulit e Sandhausenit, pastaj dueli ndërmjet Zwickaut dhe Magdeburgut, si dhe ndeshja e Wuerzburger Kickers ndaj Eintracht Braunschweigut, u anuluan për shkak të shpërthimeve të koronavirusit.
Janë prekur edhe sporte të tjera. Dy ndeshje të ligës gjermane të hendbollit u anuluan gjatë fundjavës, ndërsa ekipi i hendbollit Leipzig do të jetë pa tifozë për shkak të masave të reja të bllokimit. Organizatorët e një gare vjetore të varkave me vela në qytetin bregdetar verior të Luebeckut, anuluan ngjarjen për të dytin vit radhazi.

