Muaji maj ishte goxha i kushtueshëm për qytetarët tanë. Më së shumti para në muajin e kaluar përkatësisht 19.532 denarë, nevojiteshin për ushqim dhe pije. Ndërsa 13.392 denarë për mbulimin e shpenzimeve për banim. Një familjeje prej katër anëtarësh në maj i nevojiteshin 49.025 denarë për të mbuluar shpenzimet minimale. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, e cila përgatit shportën e konsumit sindikal, thotë se më së shumti para nga buxheti familjar, apo 44,3% janë shpenzuar për ushqim e pije.
“Shporta e përgjithshme e konsumit sindikal arrin në 44.047 denarë, dhe kur i shtohen 4.977 denarë ose 11,3% për koston e jetesës, përkatësisht inflacionin, bëhet fjalë për 49.024 denarë. Kurse paga mesatare neto e paguar për një të punësuar në mars të vitit sivjet ishte 34 925 denarë”, njoftojnë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Nga shpenzimet e tjera, të cilat janë pjesë e shportës sindikale, 3.720 denarë nevojiten për transport, 3.196 denarë për higjienë, 2.315 për veshmbathje, 1.067 për kulturë, ndërsa 821 denarë janë shpenzuar për kujdesin shëndetësore. Krahasuar me muajin prill, shporta konsumit në maj ishte rreth 5 euro më pak. Por, qytetarët thonë se shpenzimet janë të papërballueshme krahas të ardhurave të ulëta që marrin.
“Unë marr ndihmë sociale 7 mijë denarë, jetoj me bashkëshorten, djalin, rejën dhe një nip. Diçka djali punon privat dhe ja dalim disi. Shpenzimet janë rrit shumë, dikush thotë 20-30% por edhe mbi 100% më duket se janë rrit, ndaj nuk jemi të kënaqur.”
“Të gjitha paratë që i marrim nga pensionet i shpenzojmë vetëm për ushqim dhe pije. Gjithsesi, kushtet janë më të vështira sesa që ishin më parë. Ne me dy pensione mbahemi disi ta mbyllim muajin, por sërish nuk mjaftojnë. Diçka duhet të ndryshohet, por ne nuk jemi ata që ndikojmë në këto situata sepse politikanët i kanë veglat në duar.”
“Rrogat e dobëta, nuk ia dalim dot! Janë shtrenjtuar gjitha gjërat. Të ardhurat janë rritur 5-8%, çfarë të bëj unë me 1000 denarë më tepër. Ata për vete i kanë rritur rrogat nga 80% nëpër ministria. Kurse ne punëtorët me paga të dobëta. Me dal me u ankua nuk na lejnë me bo grevë, kemi mbet askund!”
Shifrat tregojnë thellim të inflacionit. Rritja e kostos së jetesës në maj krahasuar me majin e kaluar ishte 11,6%, sipas Entit Shtetëror të Statistikave. Në bazë mujore ka një rritje të kostos së jetesës 0.4%.
“Ulje mujore të kostove shënuan vaji me 2.4%, qumështi me 1.6% dhe buka me 0.7%. Rritje të indekseve të kostos së jetesës në maj 2023, krahasuar me muajin paraardhës, është vërejtur te perimet 8,5%, frutat me 13%, peshku e prodhimet e detit me 1,6%, pijet alkoolike me 0,8%, djathi dhe gjiza me 0,5%, mishi me 0,4%, kafeja, çaj dhe pijet jo alkoolike me 0,2%.”, njoftojnë nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Ndërsa inflacioni matet sipas një standardi ndërkombëtar, si kosto e konsumit personal sipas qëllimit, Enti Shtetëror i Statistikave mat edhe lëvizjen e çmimeve me pakicë. Sipas këtyre të dhënave, çmimet me pakicë në maj krahasuar me majin e kaluar janë rritur për 7.5%, ndërsa në maj në krahasim me prillin janë ulur për 0.9%. Në të njëjtën kohë, rritja vjetore prej 12.7% u bë në çmimet e produkteve ushqimore. /Alsat.mk