Keir Starmer, kryeministri i sapozgjedhur i Mbretërisë së Bashkuar, ka nisur edhe emërimet e tija të para, të cilat lidhen me kabinetin qeveritar dhe drejtuesit e dikastereve më me rëndësi në ishull.
Në bazë të raportimeve nga media shtetërore britanike BBC dhe korrespondentët e saj në Downing 10, pozitat e para janë caktuar tashmë, ku ministrat kanë mbërritur një nga një për të marrë detyrën.
Angela Rayner, është caktuar si zëvendëskryeministre e vendit në kabinetin Starmer.
Rachel Reeves ndërkaq është bërë Kancelarja e parë grua në Britani, duke marrë kështu portofolin e ekonomisë ishullore në dorë.
Nga ana tjetër, Pat McFadden është caktuar si Kancelar i Dukatit të Lancasterit, pozitë kjo e dyta më e lartë parimisht pas kreut të Qeverisë.
Shabana Mahmood merr përsipër Sekretaren e Drejtësisë.
Punët e jashtme të Mbretërisë së Bashkuar do t’i marrë përsipër David Lammy, i cili caktohet si Sekretar i Jashtëm britanik.
Yvette Cooper do të drejtojë punët e brendshme. John Healey ndërkaq është caktuar Sekretar i Mbrojtjes.
Sekretari i Shëndetësisë do të jetë Wes Streeting. Bridget Phillipson është caktuar Ministre e Edukimit. Energjinë ndërkohë e merr në dotë Ed Miliband.
Udhëheqësi laburist pati takimin e tij në Pallatin Buckingham pasi Rishi Sunak dha dorëheqjen pas rezultatit më të keq të zgjedhjeve të përgjithshme ndonjëherë për konservatorët.
Sir Keir tani merr detyrën si kryeministri i parë laburist në 14 vjet – dhe kryeministri i shtatë laburist ndonjëherë.
Rishi Sunak ka njoftuar dorëheqjen si lider i Konservatorëve, por do të qëndrojë në detyrë derisa mund të bëhen marrëveshje për të zgjedhur pasardhësin e tij.
Në fjalimin e tij të fundit jashtë “Downing Street Number 10”, ai mori përgjegjësinë e plotë për humbjen e rëndë të konservatorëve.
“Pas këtij rezultati, unë do të jap dorëheqjen si lider i partisë, jo menjëherë, por pasi të jenë bërë marrëveshjet formale për të zgjedhur pasardhësin tim. Është e rëndësishme që, pas 14 vitesh qeverisje, Partia Konservatore të rindërtohet, por edhe të rifillojë rolin e saj vendimtar si opozitë në mënyrë profesionale dhe efektive”, shtoi ai.
Duke iu referuar fituesit të zgjedhjeve, Sir Keir Starmer, ai tha se kundërshtari i tij politik ishte “njeri i denjë, me shpirt, të cilin e respektonte”.